Lidhje

Seuli: Pheniani po përgatitet për një provë të tretë bërthamore

  • Zeri Amerikes

NK Nuclear

NK Nuclear

Agjencia jugkoreane e lajmeve Yonhap njoftoi sot se Koreja e Veriut duket se po përgatitet për një provë të tretë bërthamore.

Raporti citoi një burim të paidentifikuar të zbulimit, sipas të cilit imazhet e satelitit tregojnë disa punonjës të qendrës Pung-ye në verilindje të vendit, ku zhvillohen provat bërthamore, duke gërrmuar një tunel të ri.

Koreja e Veriut ka kryer dy prova të mëparshme bërthamore në këtë qendër, njërën në tetor të vitit 2006 dhe një tjetër në maj të 2009-ës. Sipas agjencisë, duket se puna e gërmimit është në fazën përfundimtare. Në shkurt të këtij viti Koreja e Veriut ra dakord t’i japë fund provave bërthamore, pasurimit të uraniumit dhe hedhjes së raketave me rreze të gjatë veprimi, në shkëmbim të ndihmave ushqimore.

Por marrëveshja u prish, kur Pheniani bëri të njohur në mars se ka në plan të hedhë këtë muaj një raketë me rreze të gjatë veprimi në hapësirë. Disa gazetarë perëndimorë që u lejuan të vizitonin vendin nga do të hidhet raketa, thanë sot se ajo është vendosur tashmë në platformën e hedhjes.

Pheniani këmbëngul se do të hedhë në hapësirë një satelit për vëzhgimin e motit, por vende si SHBA, Japonia dhe Koreja e Jugut e shohin atë si maskimin e një prove me raketë, që shkel rezolutat e Kombeve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG