Lidhje

Seul: Takim i nivelit të lartë për sigurinë bërthamore


Udhëheqës të 53 vendeve filluan sot një takim të nivelit të lartë në Seul të Koresë së Jugut, për të garantuar që materialet bërthamore të mos bien në duart e terroristëve. Gjatë seancave, Presidenti Obama u takua me homologun rus dhe atë kinez.

Presidenti amerikan Barak Obama, njoftoi në fillim të mandatit të tij se ai do të udhëhiqte një përpjekje globale për të siguruar të gjitha materialet bërthamore. Zoti Obama i dha një shtytje kësaj çështjeje në takimin e parë të nivelit të lartë për sigurinë bërthamore që u mbajt në Uashington, dy vjet më parë.

Sot, pas një darke pune për pjesëmarrësit, organizatorët e takimit thanë se që nga ajo kohë është bërë përparim i rëndësishëm. Presidenti Obama tha se Ukraina ka eliminuar të gjithë uraniumin me pasurim të lartë nga territori i saj. Kazakistani, ka siguruar më shumë se 13 ton material bërthamor gjatë dy viteve të fundit.

Ndërkohë, Presidenti Obama i bëri një paralajmërim Koresë së Veriut për çështjen e armëve bërthamore.

Në një fjalim që mbajti në Universitetin Hankuk të Seulit, ai tha se Pheniani mund të vazhdojë në këtë rrugë, por kjo do të çojë në një izolim më të madh dhe do t’i mohonte më shumë popullit të Koresë së Veriut dinjitetin dhe mundësitë që ai meriton.

"Provokimet nuk do të shpërblehen. Ajo kohë ka marrë fund. U them udhëheqësve të Phenianit se kjo është zgjedhja që keni përpara jush. Ky është vendimi që ju duhet të merrni. Sot ne i themi Phenianit të ketë guximin të ecë drejt paqes dhe t’i japë një jetë më të mirë popullit të Koresë së Veriut."

Presidenti Obama tha se e njëjta gjë vlen edhe për Iranin. Ai tha se Irani është i vetmuar, është anëtari i vetëm i Traktatit për Mospërhapjen Bërthamore i paaftë të bindë komunitetin ndërkombëtar se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.

“Përsëri, ekziston mundësia e një zgjidhje diplomatike që e lejon Iranin të ketë energji bërthamore për qëllime paqësore, ndërkohë që zgjidh edhe shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar."

Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera i kanë ofruar ndihmë Iranit për të zhvilluar energjinë bërthamore paqësisht, por Teherani ka refuzuar dhe për më tepër ka ndjekur rrugën e mohimit dhe mashtrimit.

XS
SM
MD
LG