Lidhje

Sfidat e familjeve të ushtarakëve me shërbim jashtë vendit


Sfidat e familjeve të ushtarakëve me shërbim jashtë vendit
Sfidat e familjeve të ushtarakëve me shërbim jashtë vendit

Që nga 11 shtatori 2001, ushtria amerikane është thirrur për detyrën e vështirë të luftës kundër terrorizmit. Gjatë 10 vjetëve të fundit, ka pasur plot ushtarë amerikanë të dërguar disa herë me shërbime ushtarake në zona konflikti. Gjatë këtyre shërbimeve, një barrë e rëndë bie mbi familjet e tyre:

Jennifer Huggins ishte 4 vjeçe kur terroristët sulmuan Shtetet e Bashkuara 10 vjet më parë. Që nga ajo kohë i ati, Kolonel Beri Hagins ka qenë për më shumë se 4 vjet me shërbim jashtë vendit. Çdo moment që ai kalon pranë familjes është i çmuar për Xheniferin:

“Kënaqem kur dal për darkë me të, kur rrimë e bisedojmë. I kam shumë të çmuara këto momente, pasi e di se kur të largohet nuk do t’i kem më”.

Ruajtja e lidhjeve të forta familjare, siç vepron kjo familje, e ndihmon situatën. Studimet tregojnë se fëmijët e ushtarëve me shërbim të gjatë larg vendit shpesh preken nga depresioni dhe ankthi.

“Është e rëndë të mendosh se mund të mos kthehet më. Po ashtu e kemi të vështirë të mos e kemi pranë për momentet e rëndësishme të jetës. Por mësohesh t’i përshtatesh realitetit dhe t’i mbash të informuar që të mbeten pjesë e jetës”.

Nganjëherë prindërit mundohen t’i ruajnë fëmijët nga realiteti i rëndë i luftës. Pikëisht këtë bëri nëna e Xheniferit, Mishel, 5 vjet më pare kur i shoqi u plagos nga një sulm me bombë:

“I thamë se babai kishte pësuar një aksident të lehtë, pasi nuk mund t’i thoja vajzës 9 vjeçare se një person kishte hedhur veten në erë para babait të saj dhe e kishte plagosur edhe babain”.

Por disa të vërteta është e pamundur të fshihen. Lisa Hallet mbeti e ve me 3 fëmijë të vegjël nga kjo luftë:

“Është një koncept ende tepër i vështirë për t’u kuptuar prej tyre, pra që babai nuk është dhe s’ka për të ardhur më kurrë”.

Bashkëshorti i Lisa Hallett, Kapiteni Xhon Hallett, vdiq në Afganistan në vitin 2009.

“Asnjëherë, as në ëndrrat më të çudithshme nuk e mendoja se im shoq do të vritej në luftime”.

Në ushtrinë amerikane, disa nënave u bie barra e shkëputjes nga familja. Shona Fizer u dërgua me shërbim në Irak kur i biri Devon ishte vetëm 7 muajsh.

“Ishte ndoshta një ndër gjërat më të vështira që kam përballuar ndonjëherë në jetë”.

Shona u kthye në shtëpi 3 muaj më pas, pa mundur të ecte, pas një plagosjeje. I biri, Devon, nuk e njohu dot:

“U desh ndoshta një javë që ai të fillonte të më afrohej. E kisha shumë të vështirë kur nuk pranonte ta mbaja unë, pasi pak muaj më parë nuk më shkëputej nga krahët”.

Ushtria amerikane operon në baza vullnetare, por ky fakt nuk e bën më të lehtë realitetin e vështirë që kalojnë familjet e ushtarëve me shërbim jashtë vendit.

XS
SM
MD
LG