Lidhje

Sfidat e shumëllojshme dhe komplekse të Kinës në fushën e mbrojtjes


Sfidat e shumëllojshme dhe komplekse të Kinës në fushën e mbrojtjes
Sfidat e shumëllojshme dhe komplekse të Kinës në fushën e mbrojtjes

Analistët amerikanë të Mbrojtjes thanë se informacionet e pakta të marra nga raporti i fundit dyvjeçar i Kinës për ushtrinë hedhin dritë mbi kapacitetin dhe ambicjet në rritje të këtij vendi. Dokumenti, thonë ata, tregon besimin në rritje të ushtrisë por nuk zgjidh shumë nga çështjet e debatueshme si sistemi i armëve që Kina po zhvillon, operacionet e saj kibernetike dhe ambicjet në hapësirë dhe Detin e Kinës së Jugut.

Raporti më i fundit i Kinës për ushtrinë e saj fillon duke u përqëndruar se si po ndryshon struktura e fuqisë ndërkombëtare dhe rritja e vendeve në zhvillim, atë që analistët thonë se është një referencë e fshehur për vetveten. Eksperti i sigurisë Abe Denmark.

"Ata e shohin veten si mbizotërues; ata shohin se gjërat po shkojnë në drejtimin e tyre në aspektin e ndryshimit të balancës globale të pushtetit. Dhe ata e shohin veten duke mbledhur përfitimet e investimeve të mëdha për disa dekada. Gjëja kryesore që më bëri përshtypje rreth këtij raporti është besimi që ndjehet në të gjithë dokumentin".

Kina ka botuar shtatë dokumente të tillë që nga viti 1998. Në raportin e fundit Pekini përpiqet të ndihmojë vendet e tjera të kuptojnë më mirë forcën e tij ushtarake. Dokumenti përqëndrohet gjithashtu në mënyrën sesi Kina po përballet gjithnjë e më shumë me një numër sfidash të sigurisë që i cilëson si “të shumëllojshme dhe komplekse”.

Dean Cheng, një ekpert i sigurisë për Azinë në Fondacionin Heritage, thotë se raporti i këtij viti përfshin diskutimin e marrjes së masave të besimit dhe diplomacisë ushtarake.

Muajin e kaluar, Kina njoftoi se ushtria e saj do të rritet me 13 përqind këtë vit, duke shpenzuar më shumë se 91 miliard dollarë në mbrojtje. Por ajo që i shqetëson analistët dhe qeveritë e huaja thotë Abe Denmak nuk është sasia që Kina shpenzon për Ushtrinë e Çlirimit të Popullit.

"Kina po zhvillon një kapacitet të rëndësishëm ushatarak dhe ka çdo të drejtë ta bëjë një gjë të tillë. Pekini mund të zgjedhë t’i investojë paratë si të dojë përfshi në ushtri. Pyetja nuk është në se Kina do të jetë një forcë e rëndësishme ushtarake, pyetja është si do ta përdorë këtë forcë".

Një aspekt pozitiv, thotë Abe Denmark është dislokimi i fregatave 6 mijë tonëshe nga Kina në brigjet e Libisë për të ndihmuar operacionet humanitare atje. Por sjellja e Kinës vitet e fundit në Detin e Kinës së Jugut dhe gjatë brigjeve të saj ka ngritur shqetësime në rajon dhe Shtetet e Bashkuara.

Analisti Dean Cheng thotë se gjëja më interesante që gjen në raportin e këtij viti është informacioni që është lënë jashtë.

"Nuk përmendet për shembull, Deti i Kinës së Jugut. Kjo ka qënë një çështje shqetësuese që ka irrituar marrëdhëniet SHBA-Kinë. Por nuk ka asnjë pikë që të shpjegojë konceptin e operacioneve atje. Nuk përmendet shumë lufta kibernetike dhe ambicjet e hapësirës".

Analisti Abe Denmark thotë se nuk nuk e çudit fakti se Kina nuk diskuton çështje të debatueshme në raport pasi Pekini nuk beson se transparenca në ushtri është në interes të tij. Sipas tij, raporti i Kinës është një dokument diplomatik që mënjanon çështjet që mund ta portretizojnë Kinën si më agresive.

XS
SM
MD
LG