Lidhje

Sfidat e zgjerimit të BE-së dhe NATO-s me vendet e Ballkanit Perëndimor

  • Keida Kostreci
  • Uashington

Sfidat e zgjerimit të BE-së dhe NATO-s me vendet e Ballkanit Perëndimor

Sfidat e zgjerimit të BE-së dhe NATO-s me vendet e Ballkanit Perëndimor

Studiues të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor thonë se vendet e këtij rajoni kanë bërë përparim në dy dekadat e fundit, por vështirësitë strukturore dhe praktike me të cilat përballen institucionet euro-atlantike dhe problemet ende të pazgjidhura në rajon, paraqesin sfida për ritmin e integrimit të këtij rajoni. Një konferencë e organizuar nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare lidhur me këto çështje dhe u hedh një vështrim këtyre sfidave:

Pjesa më e madhe e analistëve që folën në konferencë ishin të një mendjeje se për vendet e Ballkanit Perëndimor një rrugë e qartë drejt institucioneve Euro-Atlantike do të shërbente si nxitje për tejkalimin e problemeve të mbetura nga e kaluara e vështirë e sistemeve të izoluara politike dhe konflikteve etnike.

Por ata janë të ndërgjegjshëm për vështirësitë drejt kësaj rruge, përfshirë pikëpyetjet rreth të ardhmes së rolit të NATO-s, dyzimin e anëtarëve ekzistues të Bashkimit Evropian mes identitetit kombëtar dhe të mirës së përbashkët, që u duk qartë gjatë krizës ekonomike, si edhe të ashtuquajturës lodhje nga zgjerimi një koncept që zuri vend pas valës së fundit të anëtarësimeve në vitin 2007.

Simon Sefarty, ish-drejtor programit të Evropës në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se nuk ka dyshim që zgjerimi i BE-së është në një periudhë pauze, pasi kjo organizatë nuk është gati aktrualisht por mendon se suksesi i mëtejshëm i tij qëndron pikërisht tek zgjerimi dhe tek aleancat.

“Sepse asnjë çështje e vetme sado e rëndësishme nuk do të jetë e mjaftueshme për të përkufizuar shekullin ku kemi hyrë, qoftë terrorizëm apo çdo gjë tjetër: nëse evropianët nuk e realizojnë duke punuar me njëri-tjetrin, me kë tjetër? Nëse nuk e bëjnë organizatat me njëra-tjetrën duke gjetur pika përputhjeje, atëherë si do të bëhet ndryshe? Dhe nëse nuk bëhet tani dhe me shpejtësi, kur tjetër?”

Kurt Volker, Drejtor Menaxhues i Qendrës për Marrëdhënie Transatlantike në Fakultetin e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins, është i mendimit se zgjerimi i NATO-s dhe BE-së nuk ka qenë kurrë synim në vetvete në shërbim të zmadhimit të këtyre organizatave.

“Objektivi ishte që miliona njerëz që nuk kishin pasur kurrë një shans të jetonin në sisteme demokratike, në ekonomi tregu, të kishin një garanci se ata dhe fëmijët e tyre do të kishin një të ardhme të sigurt dhe të ndritshme para tyre, për të krijuar këtë shans dhe mënyra më e mirë për ta realizuar këtë ishte që të inkurajoheshin që të ndërmerrnin reforma në vendet e tyre, të ndryshonin shoqëritë e tyre, me një mundësi të re për liri dhe ta konsolidonin atë si pjesë e një komuniteti më të gjerë”.

Ish-Ambasadori amerikan në NATO, shtoi se në këtë mënyrë do të krijoheshin stimuj për këto lloj reformash dhe duke i bërë ato të përhershme, në mënyrë që popujt e këtyre vendeve të jetonin më mirë, duke sjellë si rezultat përmirësimin e komunitetit trans-atlantik dhe komunitetit perëndimor.

Pikërisht përparimi në drejtim të këtyre objektivave, ka sjellë përmirësime në Shqipëri, e cila u bë anëtare e NATO-s vitin e kaluar. Elez Biberaj, drejtor i Divizionit të Euroazisë në Zërin e Amerikës, i cili në konferencë solli pikëpamjet e tij dhe jo të Zërit të Amerikës, tha se gjatë 20 viteve të fundit Shqipëria ka shënuar përparim dhe është bërë një partner i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara dhe një partner me peshë në rajon. Megjithatë ai thotë se probleme mbeten, përfshirë zhvillimin demokratik, korrupsionin, të metat e sistemit të drejetësisë si edhe gjendja e medias. Ai shton se “Por një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet Shqipëria është përplasja paralizuese mes dy partive kryesore politike, që u reflektua nga debatet përreth zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009

“Mungesa e vullnetit politik për të arritur një kompromis edhe në një kohë sfidash të jashtëzakonshme kombëtare, ishte një dëshmi e qartë se sa shumë punë i duhet akoma të bëjë Shqipërisë”.

Zoti Biberaj, thotë se konflikt politik mes krerëve të partive mund të pengojë përpjekjet për integrim në BE. Ai sugjeroi se partia në pushtet duhet të tregojë më shumë vullnet për bashkëpunim, ndërsa opozita duhet ta kuptojë se lufta politike duhet të bëhet në parlament. Ai gjithashtu bëri thirrje që Shtetet e Bashkuara ta përfshijnë Shqipërinë në raundet e tyre diplomatike të zyrtarëve të lartë në Ballkan.

David L. Fillips, studiues në Qendrën e Universitetit të Kolumbias për Studimit e të Drejtave të Njeriut, thotë se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 22 korrik për ligjshmërinë e shpalljes së Kosovës mbylli përgjithmonë debatin për këtë çështje. Ai thotë se vendi përballet me shumë sfida të brendshme dhe e vë theksin tek korrupsioni dhe tek aftësia qeverisëse. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë tani më shumë për të shtuar numrin e njohjeve.

“Por nëse Kosova nuk zgjidh problemet me qeverisjen, do të jetë e vështirë si për Shtetet e Bashkuara edhe Kosovën që të mbrojnë argumentin se vende të tjera duhet ta njohin atë”.

Sfidat e Kosovës janë të lidhura edhe me qëndrimin e Serbisë ndaj saj në të ardhmen i cili është i përcaktuar nga situata politike në Beograd dhe qëndrimi i klasës politike ndaj Kosovës. Analisti Obrad Kesic i TSM Global Consultants, thotë se ka shenja se Serbia po zgjedh rrugën drejt Bashkimin Evropian dhe jo Kosovën, por shton se problemet e vendit përfshijnë paqartësitë e qeverisë së Boris Tadicit për hapat e ardhshme, çështja e Veriut të Kosovës dhe mungesa e stimujve nga ana e komunitetit ndërkombëtar për Beogradin.

Analistët janë të mendimit se zgjidhja e problemeve të brendshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor, është thelbësore për përparimin e rajonit. Ata bënë thirrje për një rol më të madh të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor si politikisht, edhe nga pikëpamja e ekonomisë, sidomos për shtimin e investimeve.

Konferenca shërbeu si forum për promovimin e një reviste të re të përvitshme për politikat mbi Ballkanin Perëndimor të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare kushtuar studimeve për Evropën Juglindore.


XS
SM
MD
LG