Lidhje

Shëndeti mendor dhe incidentet me dhunë

  • Greg Flakus

Tragjedia që ndodhi ditët e fundit në Fort Hood të Texasit tërhoqi vëmendjen për sfidën e trajtimit të sëmundjeve mendore në ushtri, si dhe për konceptimet e gabuara lidhur me shqetësimet që ato kanë shkaktuar për shoqërinë në tërësi.

Më 2 prill, specialisti i ushtrisë amerikane Ivan Lopez, hapi zjarr ndaj kolegëve të tij ushtarë në bazën ushtarake në Fort Hood, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur 16 të tjerë. Më pas ai u përball me policinë dhe vrau veten.

Lopez kishte marrë mjekime për depression dhe gjendje ankthi dhe ishte në procesin e ekzamininimit për mundësinë e çrregullimeve traumatike dhe stresit pas pjesëmarrjes aktive në luftime.

Zyrtarët ushtarakë thonë se Lopez shërbeu për dy herë rresht jashtë vendit, pasi ishte regjistruar në ushtrinë amerikane në vitin 2008. Hetuesit thonë se gjendja e tij mendore “e paqëndrueshme” mund të kenë qenë faktor për sulmin që ai kreu.

Në Klinikën Menninger të Hjustonit kryhen kërkime shkencore për sëmundjet mendore në ushtri. Mjeku John Oldham është përfshirë në përpjekjet që po bëhen për përmirësimin e programeve të shëndetit mendor për ushtarët në detyrë dhe veteranët.

“Disa nga masat që kemi marrë kanë qenë shumë të mira. Por në disa fusha duhet bërë më tepër. Mendoj se brenda radhëve të ushtrisë mbetet ende shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim.”

Dr. Oldham thotë se ai e kupton që ushtarët aktivë mund të vuajnë nga traumat.

“Unë vetë jam veteran i Luftës së Vietnamit. Kam shërbyer në forcat ajrore. Edhe kaq vite më parë kjo më ra menjëherë në sy.”

Sipas Dr. Oldham-it, një nga problemet më të mëdha në ushtri dhe në jetën civile është stigma që vazhdon të shoqërojë sëmundjet mendore.


Ai thotë se kjo çështje ishte shqetësimi kryesor i gjeneralit të ushtrisë Peter Chiarelli para se ai të dilte në pension dy vjet më parë.

“Gjenerali Chiarelli më tha se ai mendon që të paktën 50 për qind e ushtarëve që kanë nevojë për mjekim nuk kërkojnë ndihmën e mjekut dhe nuk mjekohen asnjëherë, ngaqë nuk duan të pranojnë se janë të sëmurë, nga frika se do t’i prishet karriera.”

Ai thotë se Gjenerali Chiarelli është përpjekur t’i nxisë ushtarët të kërkojnë ndihmë mjekësore.

“Mendoj se jemi duke bërë përparime në këtë drejtim, por kjo është një detyrë shumë e madhe.”

Doktor Oldham shpreson se shërbimet më të mira shëndetësore dhe një vullnet më i mirë për të kërkuar ndihmë do të parandalonin incidentet tragjike të dhunës dhe vetëvrasjet mes personelit ushtarak aktiv dhe veteranëve.
XS
SM
MD
LG