Lidhje

Shanset e Yulia Tymoshenkos në zgjedhjet presidenciale

  • Henry Ridgwell

Ish-kryeministrja e Ukrainës, Yulia Tymoshenko ka mbetur pas në anketa para zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në maj. Ajo është një nga figurat politike më të njohura në vend, por shumë analistë thonë se po has vështirësi për të lënë pas imazhin e saj të periudhës para revolucionit, në ndërgjegjen e elektoratin.

Kthimi dramatik i ish-kryeministres Yulia Tymoshenko në linjën e parë të politikës, erdhi pasi ajo doli nga spitali në Shkurt.

Ajo kishte qenë në burg dhe më pas në spital, nën kontrollin e rojeve, që nga viti 2011, pasi u shpall fajtore nën akuzat për abuzim me detyrën.

Ajo u prit me brohoritje atë natë kur doli para turmës në sheshin Pavarësia në një karrige me rrota, por pati nga ata që shprehën pakënaqësi.

Orysia Lutsevych është analiste në organizatën Chatham House në Londër.

"Ajo ngjall reagime të forta kundërthënëse dhe vështirësia më e madhe peer të është si të frymëzojë shpresë për të ardhmen. Në një farë mënyre, ajo i takon një brezi të vjetër në politikën ukrainase, diçka që në ndërgjegjen e shumë vetëve shihet e lidhur me ish-regjimin e korruptuar”.

Yulia Tymoshenko ishte një figurë qendrore në Revolucionin Portokalli të vitit 2004 dhe u emërua kryeministre kur ishte president Viktor Yuschenko. Më pas aleanca e tyre u prish, duke i hapur rrugën presidentit tashmë të përmbysur Viktor Yanukovych.

Vëzhguesit thonë se zonja Tymoshenko po përpiqet që ta heqë këtë imazh të së kaluarës dhe të nxjerrë në pah karakteristikat e saj më të forta, si një nga figurat më të njohura të Ukrainës.

Në një konferencë për shtyp kohët e fundit, ajo iu përgjigj pyetjes se si do ta rimerrte Krimenë nga Rusia, pas aneksimit të këtij rajoni muajin e kaluar.

"Shumë nga faktorët e rikthimit të Krimesë në Ukrainë varen nga ngritja e një shteti demokratik evropian në pjesën kontinentale të Ukrainës, më një ekonomi të fortë. Mendoj se një model jetese e rregullt, liria që do të jetë në thelb të jetës në Ukrainën e re, do të jetë një shembull i mirë për këdo që mund ta ketë konsideruar Rusinë si atdheun e tyre të ri”.

Për t’u bërë udhëheqësja e Ukrainës së re, Yulia Tymoshenko po lë pas imazhin e saj të mëparshëm, thotë Orysia Lutsevych.

"Ajo quhet Zhan D’Ark ukrainase, dikush që mund të sjellë shpresë duke i dhënë një fytyrë vuajtjes, që është e gatshme të mos bëjë kompromis me regjimin e Yanukovychit dhe njerëzit e afërt me të, ajo besohet të jetë një politikane e fortë dhe që mund të luftojë oligarkët”.

Ditët e fundit, grupet e armatosura pro-ruse hynë më forcë në zyrat e qeverisë lokale të disa qyteteve në Ukrainën Lindore.

Vetëm 10 kilometra më larg, forcat ruse janë grumbulluar në masë në kufijtë e Ukrainës.

Zonja Tymoshenko ka folur ashpër kundër Presidentit Vladimir Putin por në këndvështrimin afatgjatë kjo mund të mos ta ndihmojë Ukrainën, thotë Andrew Foxall i Shoqatës Henry Jackson Society.

"Kohët e fundit ajo e quajti Presidentin Putin 'armikun numër 1 të Ukrainës'. Dhe mendoj se kjo do të shkaktonte një shqetësim të konsiderueshëm, përsa i takon planit të saj për marrëdhëniet e vendit të saj me Rusinë”.


Yulia Tymoshenko është një pro-evropiane e vendosur dhe gëzon një mbështetje të madhe në perëndimin e vendit. Por në një kohë kur vendi duket se po përçahet, analistët thonë se ajo mbetet një figurë ndarëse.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG