Lidhje

SHBA: Sistemi mbrojtës nga raketat në Evropë nuk është kërcënim për Rusinë


SHBA: Sistemi mbrojtës nga raketat në Evropë nuk është kërcënim për Rusinë
SHBA: Sistemi mbrojtës nga raketat në Evropë nuk është kërcënim për Rusinë

Shtetet e Bashkuara kanë theksuar edhe një herë se sistemi i mbrojtjes nga raketat që është planifikuar për t’u vendosur në Evropë me objektiv Iranin, nuk do të kërcënojë pozitën stregjetike të Rusisë. Presidenti i Rusisë Dmitri Medvedev paralajmëroi se Moska do të marrë masa si kundërpërgjigje ndaj sistemit amerikan që po zhvillohet në kuadrin e NATO-s.

Administrata Obama po e siguron përsëri Rusinë rreth planit të saj për mbrojtjen nga raketat, duke thënë gjithashtu se projekti po shkon mirë dhe se nuk do të kufizohet apo ndryshohet.

Komentet e Shtëpisë së Bardhë dhe të Departamentit të Shtetit pasojnë fjalimin që mbajti Presidenti i Rusisë Dmitri Medvedev, në të cilin ai përsëriti kërcënimet se Moska do t’i kundërvihet programit, duke vendosur raketa pranë vendeve të NATO-s dhe ndoshta duke u tërhequr nga marrëveshja SHBA-Rusi për paksimin e armëve strategjike, ose START-i i ri.

Plani i Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen nga raketat në Evropë për të përballuar atë që shikohet si kërcënim që mund të vijë nga Irani, ka qënë prej kohësh një çështje irrituese në marrëdhëniet me Moskën.

Në vitin 2009, administrata Obama anulloi planet për një sistem radarësh dhe interceptorësh me bazë në Poloni dhe në Republikën Çeke, duke e zëvendësuar atë me një projekt më pak ambicioz me baza në Poloni, Rumani dhe ndoshta në vende të tjera të NATO-s.

Por në fjalimin e djeshëm televiziv të zotit Medvedev u bë e qartë se shqetësimet e Moskës ende vazhdojnë. Ai përsëriti kërcënimin për t’iu kudërvënë planit amerikan me vendosjen e raketave në enklavën ruse të Kaliningradit në Balltik dhe tha se mosmarrëveshja mund të bëhet shkak që Moska të tërhiqet nga traktati i ri START.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Tomi Vietor, tha se Rusisë i janë dhënë vazhdimisht garanci se sistemi i planifikuar nuk mund të kërcënojë arsenalitn e madh të armëve strategjike të Rusisë dhe se Shtetet e Bashkuara në asnjë mënyrë nuk do ta kufizojnë ose ndryshojnë programin.

Zv/zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Mark Toner tha se oferta e Shteteve të Bashkuara për ta përfshirë Moskën në programin kundër raketave qendron dhe se administrata mbetet e angazhuar për përmirësimin në përgjithësi të marrëdhënieve mes dy vendeve.

"Ne i kemi dëgjuar këto komente edhe më parë. E përsërisim se fokusi është tek bashkpunimi , është që autoritetet ruse ta kenë të qartë se ky është një sistem që nuk ka si objektiv Rusinë. Ai ka të bëjë, siç e kam thënë, me kërcënimin ndaj aleatëve tanë në Evropë dhe në Rusi që në fakt vjen nga Irani”.

Eksperti i kontrollit të armëve Bruce MacDonald, një këshilltar i lartë në Institutin amerikan të Paqes, thotë se është i kuptueshëm shqetësimi i Moskës për ndonjë kërcënim të mundshëm ndaj sistemit të saj të mbrojtjes që kontribuon në përcaktimin e statusit të saj të fuqisë së madhe.

Por ish këshilltari i Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit thotë se shqetësimet e Rusisë rreth planit amerikan për mbrojtjen nga raketat janë përgjithësisht pa bazë reale.

"Rusët i vlerësojnë shumë kapacitetet tona teknologjike, por nga ana tjetër, për mendimin tim, ata janë tepër sensitivë për këtë çështje. Ata imagjinojnë gjëta që nuk ka të ngjarë të ndodhin. Ne nuk do të zhvillojmë krejt pa pritur një sistem të stërmadh mbrojtës nga raketat. Shanset për një gjë të tillë janë shumë të pakta, megjithatë rusët kanë mjaft kohë për t’u akomoduar apo për t’u përgjegjur, pasi ky projekt kërkon shumë kohë”.

Në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmusen tha se ka mbetur shumë i zhgënjyer nga deklaratat e Medvedevit, për të cilat ai tha se janë në mospërputhje me marrëdhëniet strategjike që Rusia dhe aleanca e NATO-s kanë rënë dakord të ndërtojnë.

XS
SM
MD
LG