Lidhje

SHBA: 90 vjetori i së drejtës së gruas për të votuar

  • Ana Ward
  • Zëri Amerikës

Vote, ballot

Vote, ballot

Nenci Pelosi, kryetarja e parë e Dhomës së Përfaqësuesve --- Sekretarja e Shtetit Hillary Klinton, që ishte shumë pranë fitores së kandidaturës demokrate në zgjedhjet presidenciale dhe Sarah Pejllin, kandidate republikane për postin e nënpresidentes: këto janë tre gra që kanë patur një ndikim të padiskutuar në politikën amerikane.

Personaliteti i tyre është dëshmi e përparimit të të drejtave të grave në Amerikë. Por arritjet e tyre u realizuan përmes përpjekjeve të grave më shumë se një shekull më parë, të cilat kërkuan të drejtën demokratike bazë – atë të votës.

Lëvizja filloi me një grup aktivistesh të drejtuara nga Lucretia Mott dhe Elizabeth Cady Stanton të cilat në vitin 1848 deklaruan publikisht se gratë amerikane meritojnë sipas ligjit të drejta të barabarta me burrat.

Susan Scanlan është presidente e Institutit Kërkimor dhe të Edukimit të Grave në Uashington. Ajo thotë:

"Aktivistet për të drejtën e votës ishin të moshës së mesme, nëna dhe gra të klasës së mesme dhe të lartë. Ato ishin të diplomuara në kolegj apo në shkollën e mesme. Ishin në pozicione të privilegjuara disi dhe e kuptonin se pa mundësinë e votimit nuk e kishin jetën e tyre në dorë."

Shpirti aktivist i grave u zbeh me fillimin e Luftës Civile amerikane. Por lufta për të drejtën e votës u rishfaq 50 vjetë më vonë me Alice Paul, një figurë madhore në lëvizjen e grave. Një ditë para inagurimit të presidentit Woodrow Wilson në vitin 1913, Alice Paul organizoi një paradë në shëtitoren Pennsylvania për të tërhequr vëmendjen e Amerikës.

Elisabeth Krum në muzeun që ishte dikur shtëpia e Alice Paul shpjegon:

" Nuk ishin parë asnjëherë më parë aq shumë gra të mobilizuara në rrugë, që përfaqësonin grupe të ndryshme shoqërore. Ishte një organizim spektakolar dhe gratë paraqitën kauzën e tyre për një amendament federal si dhe për një amendament shtetëror duke siguruar që lëvizja të shtrihej kudo."

Përkrahëset tërhoqën vëmendjen e medias por morrën pak mbështetje nga publiku. Kështu në vitin 1917, ato filluan të piketojnë Shtëpinë e Bardhë, një akt ky i paprecedent. Shumë gra u arrestuan dhe u burgosën, por opinioni publik ndryshoi.

Amendamenti i 19-të shkoi në Kongres në vitin 1918 dhe u ratifikua nga shtetet më 18 gusht të vitit 1920. Gratë amerikane fituan më në fund të drejtën e votës.

Jennifer Lawless është në Institutin e Politikave për Gratë në Univeristetin Amerikan. Ajo thotë:

" Ishte ndoshta gjëja më e rëndësishme që ka ndodhur për gratë 100 vitet e fundit pasi u dha atyre të drejta të plota si qytetare. Përgjegjësitë dhe roli i grave pas skenës ishte i njëjtë ndoshta si para lëvizjes për të drejtën e votës ashtu edhe pas saj. Por ato u panë më në fund si njerëz me të drejta reale dhe me potencial për të tërhequr vëmendjen e kandidatëve."

Përkrahëset e lëvizjes luftuan gjithashtu për të drejtën e divorcit dhe të martesës, të drejtën e pronësisë dhe pagën e barabartë me burrat, një përpjekje që kërkoi dekada dhe disa çështje ende vazhdojnë. Ndërsa një Amendament për të Drejta të Barabarta në Kushtetutë nuk arriti të ratifikohet në vitin 1982, gratë amerikane e shfrytëzojnë me rigorozitet të drejtën e tyre të votës. Zgjedhjet e fundit treguan se ato votojnë në numër më të madh se sa burrat dhe votojnë ndryshe.

Susan Skanlan thotë:

“Në zgjedhjet e vitit 2008, votuan 8 milionë më shumë gra se sa burra. Gratë gjithmonë kanë tendencën të votojnë në favor të çështjeve familjare dhe të edukimit ndërsa burrat janë më agresivë në mbështetje të çështjeve ndërkombëtare, të buxhetit dhe mbrojtjes.”

Nëntë dekada pasi gratë amerikane fituan të drejtën e votës ka ende shumë punë për tu bërë. Gratë përfaqësojnë vetëm 17 përqind të anëtarësimit në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve. Por gra si Nensi Pelosi, Hillary Klinton dhe Sarah Pejllin po lënë gjurmët e tyre në politikën amerikane dhe po dërgojnë një mesazh të qartë – gratë amerikane janë një forcë që nuk mund të shpërfillet.

XS
SM
MD
LG