Lidhje

SHBA mbi procesin politik në Egjipt


Administrata e presidentit Obama thotë se është duke inkurajuar Partinë Vëllazëria Myslimane në Egjipt që të marrë pjesë në tranzicionin politik pas përmbysjes së presidentit të parë të vendit të zgjedhur në mënyrë demokratike, i cili gjithashtu është anëtar i Vëllazërisë Myslimane.

Ndërkohë që Presidenti i përkohshëm egjiptian Adly Mansour ka marrë drejtimin e presidencës dhe autoritetin në procesin kalimtar, zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit Jen Psaki thotë se administrata e presidentit Obama është e inkurajuar nga planet për zgjedhjet të reja legjislative.

"Ne jemi të inkurajuar që qeveria e përkohshme ka paraqitur një plan për të ecur përpara. Dhe natyrisht çdo proces për hapat e ardhshëm duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të marrë parasysh konsensusin."

Ajo thotë se Uashingtoni është ende duke shqyrtuar ngjarjet për të përcaktuar nëse rrëzimi i presidentit Mohamed Morsi nga ushtria ishte grusht shtet, një dallim i rëndësishëm ligjor që do të ndikonte në ndihmën amerikane për Egjiptin.

Përkrahësit e zotit Morsi kërkojnë kthimin e tij në pushtet. Vëllazëria Myslimane dhe Partia e Lirisë dhe Drejtësisë kanë hedhur poshtë periudhën e përkohshme kalimtare duke e cilësuar atë si një përpjekje për ta "kthyer Egjiptin në pikën zero."
Zëdhënësja Psaki tha se zyrtarët amerikanë po i inkurajojnë anëtarët e Vëllazërisë Myslimane që të marrin pjesë në këtë tranzicion.

"Jemi në kontakt me anëtarët e Vëllazërisë Myslimane. Dëshirojmë që ata të jenë pjesë e procesit për të ecur përpara. Procesi do të jetë i gjatë, kështu që natyrisht ne besojmë se në rastet kur ka pasur arrestime arbitrare, personat e arrestuar duhet të lirohen. "

Ajo nuk tha nëse zyrtarët amerikanë i kanë kërkuar forcave egjiptiane të sigurisë që të lirojnë anëtarët e Vëllazërisë Myslimane.

"Mesazhi ynë është i qartë, ne duam të shohim transparencë. Duam të shohim respektimin e procesit gjyqësor dhe sundimit të ligjit."

Zëshënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki dhe Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney i kanë bërë thirrje forcave egjiptiane të sigurisë të ushtrojnë "përmbajtje maksimale", gjatë përballjeve me përkrahësit e zotit Morsi. Por, ata nuk e kanë dënuar drejtpërdrejt vrasjen e më shumë se 50 njerëzve të hënën afër një objekti ushtarak në Kajro, duke thënë se hetimet për këtë incident janë duke vazhduar.
XS
SM
MD
LG