Lidhje

Ari dhe borxhi gjigand i Amerikës


Ari dhe borxhi gjigand i Amerikës
Ari dhe borxhi gjigand i Amerikës

Rritja e borxhit në Shtetet e Bashkuara dhe shqetësimet për falimentime financiare në Evropë mbeten një preokupim për ekonominë globale. Kohët e fundit, një raport i Kombeve të Bashkuara paralajmëron për një katastrofë të mundshme të dollarit. Ndërkohë, vlera e arit është në nivele rekord, dhe disa kanë hedhur idenë se vende të ndryshme duhet të shikojnë mundësinë e shitjeve të rezervave të tyre të arit për të paguar borxhin. Por shumë ekspertë nuk pajtohen me një strategji të tillë.


Dikur ekzistonte i ashtuquajturi standard i arit, pra vlera e monedhës së një vendi matej me rezervat e arit që ai kishte. Por në vitin 1944, gjatë Luftës së Dytë Botërore, qindra delegatë nga 44 vende aleate të mbledhur në Breton Uds të Shteteve të Bashkuara, arritën një marrëveshje për të rregulluar sistemin monetar botëror.

Vendet pjesëmarrëse i fiksuan monedhat e tyre kombëtare kundrejt dollarit amerikan, i cili mbështetej nga ari, norma e këmbimit të të cilit u vendos 35 dollarë për një ons.

Por në vitin 1971, Shtetet e Bashkuara e braktisën standardin e arit. Pra, tani dollari nuk do të mbështetej më në arin, por në besimin e plotë dhe në kreditin e Shteteve të Bashkuara - me fjalë të tjera, në qëndrueshmërinë ekonomike të Amerikës. Mirëpo sot, monedha botërore rezervë mbështetet nga një vend që ka një borxh prej më shumë se 14 trilion dollarësh.

Xhon Mjuller, i cili punon në Qendrën e Etikës dhe Politikës Publike në Uashington, thotë se krizat e borxhit në SHBA dhe në Evropë nuk do të kishin ndodhur po të kishte qenë në fuqi standardi i arit.

"Sistemi monetar është ai që i krijon këto inflacione periodike, të cilat çojnë në recesione si ato të viteve 2007-2009. Ai po shkakton rënien e aftësisë konkurruese në prodhimin amerikan, sepse kjo jo vetëm krijon deficite në buxhetin federal, por edhe deficite në pagesa ndërkombëtare. Kjo krijon gjithashtu mungesë të disiplinës buxhetore."

Këshilli Botëror i Arit thotë se në botë ka rreth 165.000 ton ar. 165 mijë ton janë sa një pallat katërkatësh i mbushur plot me ar.

Shtetet e Bashkuara zotërojnë pjesën më të madhe të kësaj sasie, rreth 370 miliardë dollarë në vlerë, po të këmbehej me 1,500 dollarë onsin. Por disa analistë në Amerikë kanë hedhur idenë se Shtetet e Bashkuara duhet të shesin ar për të paguar borxhin.

"Në fakt kjo do të kishte shumë kuptim. Meqenëse pjesa më e madhe e arit është blerë nga Amerika me 35 dollarë onsin, çmimi i tij është sot 1,500 dollarë onsi. Pra Shtetet e Bashkuara kanë nxjerrë një fitim mjaft të madh."

Kështu thotë Steven Danëuej, i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, i cili shton se kjo ide ka edhe një problem.

"Nëse përpiqemi ta shesim arin shumë shpejt, atëhere kjo do ta ulte mjaft çmimin e tij sepse rezervat amerikane të arit janë ndër më të mëdhatë në botë. Pra, duke patur parasysh sasinë e arit që normalisht hidhet në treg, kjo do të bënte që çmimi i arit të ulej në mënyrë dramatike. "

Ndryshe mendon eksperti Piter Morisi në Universitetin e Merilendit:

"Nuk mendoj se Shtetet e Bashkuara duhet të shesin arin për të zgjidhur problemet buxhetore apo të deficitit. Përkundrazi, ato duhet të rikthejnë besimin te dollari duke e vënë deficitin nën kontroll dhe duke e menaxhuar ekonominë në mënyrë më të efektshme. "

Por, sipas zotit Xhon Mjuller, rritja e deficiteve buxhetore nuk do të ndalet nëse qeveritë nuk kanë një standard monetar që t’i pengonte vendet të shpenzonin më shumë para se sa kanë:

"Mund t'jua them me siguri se politikanët nuk do të venë mend pa patur një sistem monetar që t’ua bëjë të pamundur të vazhdojnë kështu.”

Çmimi i arit mund të jetë i lartë, por zoti Morisi thotë se bankat qendrore të disa vendeve vazhdojnë të blejnë ar për të diversifikuar rezervat. Banka Qendrore meksikane kohët e fundit ka shtuar 100 ton ar në rezervat e saj.

"Kjo tregon se ata nuk kënaqen më me dollarin si mbështetja e vetme për monedhat e tyre. Dollari mbështetet me një farë rezerve ari në Fort Noks, por mendoj se gjithnjë e më shumë do të shohim investitorë që e blejnë arin me mënyra të tjera. Si rrjedhojë do të fillojmë të shohim se ari do të përdoret përsëri si mekanizëm pagese. Në këtë pikë, ari do të plotësojë dollarin si monedhë rezervë."

Analistët thonë se shitja e arit mund të shihet nga vendet e tjera si një shenjë dobësie dhe mund t’i dërgojë botës mesazhin se vendi që e bën këtë është i dëshpëruar për të ardhura. Për Shtetet e Bashkuara, ari është njëra arsye që investitorët besojnë në vlerën e dollarit, prandaj ekspertët thonë se shitja e arit nga Amerika mund të krijojë tronditje në të gjithë sistemin financiar ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG