Lidhje

SHBA për sanksionet kundër Rusisë


Shtetet e Bashkuara thonë se sanksionet perëndimore kundër Moskës për ndërhyrjen në Ukrainë po japin ndikim të dukshëm mbi ekonominë ruse. Por disa anëtarë të Kongresit shprehën dje skepticizëm dhe i bënë thirrje administratës Obama të vendosë sanksione më të rënda, veçanërisht nëse Rusia minon zgjedhjet e 25 majit në Ukrainë.

Diplomtja amerikane, Victoria Nuland tha në një seancë dëgjimore në Kongres se sanksionet që kanë vendosur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë kundër Rusisë janë bërë barrë e konsiderueshme mbi ekonominë ruse dhe kanë sjellë rënien e bursës dhe vlerës së valutës.

"Ekonomia ruse po e ndjen peshën e sanksioneve ndërkombëtare. Vlerësimi për statusin financiar të vendit është shumë i ulët”.

Shefi i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Cështje të Jashtme Ed Royce pohoi se sanksionet po japin ndikim, por tha se Presidenti Putin duket se e ka marrë parasysh këtë çmim. Ai bëri thirrje për sanksione të reja, më të rënda, veçanërisht nëse Rusia pengon zgjedhjet presidenciale në Ukrainë.

"Duhet të heqim dorë nga reagimi ndaj akteve të Putinit, duke pritur me durim që edhe evropianët të bashkohen me ne. Ne duhet të ndjekim një strategji që do të bindë Presidentin Putin se agresioni i tij do të sjellë pasoja të konsiderueshme dhe afat-gjata mbi ekonominë ruse, si dhe mbi regjimin e tij, nëse ai ndërhyn tek zgjedhjet”.

Disa ligjvënës, përfshirë Ted Poe, një republikan nga Teksasi, thonë se nuk janë të bindur se sanksionet po japin rezultatin e duhur.

"Nuk mendoj se kanë funksionuar. Të them të drejtën, nuk mendoj se e kanë penguar Rusinë në veprimet e saj”.

Megjithëse Presidenti Putin tha të mërkurën se trupat ruse të mbledhura pranë kufirit me Ukrainën ishin tërhequr, zonja Nuland tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë zbuluar fakte që e vërtetojnë këtë deklaratë. Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara po punojnë me aleatët evropianë për mundësinë e sanksioneve të përqëndruara tek sektorë specifikë të ekonomisë, përfshirë energjetikën.

Ministrat e Jashtëm evropianë pritet t’i diskutojnë sanksionet e reja të hënën në Bruksel. Por disa udhëheqës evropianë nuk janë treguar shumë të zellshëm të ndëshkojnë Moskën, pasi vendet evropiane kanë shkëmbime shumë më intensive tregtare me Rusinë se sa Shtetet e Bashkuara.
XS
SM
MD
LG