Lidhje

Zyrtarët mbi ISIS-it në Afganistanin jugor

  • Ayaz Gul

Zyrtarët vendorë dhe komandantët e huaj ushtarakë në Afganistan kanë minimizuar shqetësimet se Shteti Islamik është duke i zgjeruar aktivitetet përtej bastionit të tij tradicional në lindje.

Sipas tyre, vrasja e kohëve të fundit e një prej drejtuesve vendorë të Shtetit Islamik, nga një sulm amerikan me avion pa pilot dhe përparimi i forcave afgane kundër grupit terrorist me bazë në Siri, i kanë kufizuar militantët në pjesët lindore të provincave Nangarhar dhe Kunar, në kufi me Pakistanin.

Kufiri lehtësisht i kalueshëm, që shtrihet në një gjatësi prej gati 2.600 kilometrash mes Afganistanit dhe Pakistanit, njihet për lëvizjet e militantëve dhe veprime të tjera të paligjshme në të dyja anët. Zyrtarët pakistanezë kohët e fundit kanë intensifikuar përpjekjet për ndërtimin e strukturave të reja të monitorimit përgjatë kufirit, por këmbëngulin se është e pamundur të kontrollohet plotësisht terreni i thyer malor i kësaj pjese të kufirit.

Shteti Islamik, i filloi veprimet në këtë zonë, nga distrikti i largët Achin në provincën e Nangarharit, në fillim të vitit 2015 përpara se të zgjerohej edhe në rajonet përreth. Grupi emëroi komandantin lokal të militantëve, Hafiz Saeed Khan, si shef të të ashtuquajturit Shteti Islamik i provincës Khorasan (IS-K), që përfshin Afganistanin, Pakistanin dhe pjesë të Iranit.

Por banorët dhe politikanët në provincën jugore Zabul, e cila gjithashtu kufizohet Pakistanin, kanë raportuar kohët e fundit praninë e Shtetit Islamik në dy distriktet e paqëndrueshme, Khak-e-afgan dhe Deh Chopan.

Sipas drejtorit të këshillit provincial, Atta Mohammad Haqbayan, Shteti Islamik ka ngritur kampe rekrutimi dhe trajnimi në këtë rajon. Ai thekson se vëmendja e qeverisë afgane është përqëndruar në kërcënimet e reja, por deri tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim për dëbimin e militantëve.

Megjithatë, zëdhënësi i forcave amerikane dhe atyre të NATO-s në Afganistan, gjenerai Charles Cleveland, nuk e konfirmon praninë e Shtetit Islamik në Zabul.

"Ne nuk kemi parë dëshmi të një pranie të IS-K-së në Zabul dhe besoj se IS-K-ja është ende e pranishëm kryesisht në distriktet e Nangarharit jugor, dhe me një prani të vogël në Kunar," i tha Zërit të Amerikës gjenerali Cleveland.

Ambasadori afgan në Pakistan, Hazreti Omer Zakhilwal, është dakord me këtë vlerësim dhe i tha Zërit të Amerikës se "Daesh është i përqendruar vetëm në Nangarhar." Ai përdori akronimin arab për Shtetin Islamik.

Vrasja e Hafiz Saeed Khan-it

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes konfirmoi javën e kaluar se udhëheqësi i Shtetit Islamik, Hafiz Saeed Khan u vra më 26 korrik në një sulm ajror ndaj objektit ku ai po fshihej në distriktin Achin të provincës Nangarhar, baza kryesore e Shtetit Islamik në këtë zonë. Zyrtarët lokalë thanë se 30 militantë të tjerë u vranë në të njëjtin sulm.

Komandanti i forcave amerikane në Afganistan, gjenerali John Nicholson, kohët e fundit tha se "dega afgane e ISIS-it ka lidhje të drejtpërdrejtë me grupin kryesor në Siri dhe Irak”.

Sipas Pentagonit, Shteti Islamik ka ngritur baza në Achin për trajnimin, pajisjen, shpërndajen dhe kontrollimin e rrjedhës së rekrutëve, duke i siguruar grupit militant një furnizim të vazhdueshëm me luftëtarë.

"Ata me siguri kanë pësuar një goditje të madhe nga eliminimi i udhëheqësve të tyre, humbjen e një numri të madh të luftëtarëve, dhe territorit", deklaroi ambasadori Zakhilwal kur u pyet në lidhje me ndikimin e mundshëm të vdekjes së Hafiz Saeed Khan-it mbi grupin terrorist.

Zyrtarët e ushtrisë amerikane besojnë se 70 për qind e militantëve në radhët e Shtetit Islamik janë ekstremistë nga Talibanët e Pakistanit të cilët dy vjet më parë u arratisën në Afganistan, pas ofensivës së ushtrisë pakistaneze kundër bazave të Talebanëve në rrethet fisnore afër kufirit me Afganistanin.

Kufiri poroz

Autoritetet afgane pohojnë se Shteti Islamik furnizohet me armë dhe luftëtarë nga territori pakistanez.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Afganistanit, Hanif Atmar paralajmëroi të hënën se Shteti Islamik do të jetë në gjendje të zgjerohet dhe të vazhdojë aktivitetet terroriste në rajon në rast se arrin të gjejë strehë të sigurtë në Pakistan.

Zëdhënësi i tij Tawab Ghorzang ka konfirmuar për Zërin e Amerikës komentet e zotit Attmar ku ai pretendon se rreth dhjetë udhëheqës të Shtetit Islamik janë vrarë në operacionet kundër terrorizmit në Afganistan, duke përfshirë Hafiz Saeed Khan-in.

Sipas vlerësimit fillestar të ushtrisë amerikane, në Afganistan kishte rreth 3000 luftëtarë të Shtetit Islamik, aktivë në gjashtë deri tetë distrikte të provincës Nangarhar.

Por pas sulmeve të intensifikuara ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe operacioneve të forcave afgane që nga fillimi i këtij viti janë vrarë qindra luftëtarë, duke pakësuar ndjeshëm numrin e tyre dhe duke i izoluar veprimit e tyre në rajonet e’thella të të dy distrikteve, përfshirë distriktin e Achin-it.

XS
SM
MD
LG