Lidhje

Lufta në Afganistan çështje kryesore për Obamën


Përmbyllja e luftës në Afganistan do të jetë një nga çështjet kryesore të politikës së jashtme me të cilat përballet Presidenti Barak Obama gjatë mandatit të tij të dytë në detyrë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera bisedoi me tre ish-zyrtarë të lartë amerikanë rreth luftës së gjatë të Amerikës në Afganistan. Ta ndjekim.

Forcat ushtarake amerikane kanë qenë të pranishme në Afganistan për më shumë se 11 vjet, më gjatë se sa prania sovjetike në këtë vend në vitet 1980. Forcat ushtarake të ish Bashkimit Sovjetik qëndruan në Afganistan për nëntë vjet.

Afërsisht 68 mijë trupa amerikane janë të vendosura në këtë vend. Plani i tanishëm është tërheqja e të gjitha forcave luftarake amerikane dhe ndërkombëtare nga Afganistani deri në fund të vitit 2014 dhe kalimi i të gjitha përgjegjësive ushtarake dhe të sigurisë në duart e forcave afgane.

Por ish ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, John Bolton beson se forcat afgane të sigurisë nuk do të jenë gati për të marrë përsipër përgjegjësitë nga amerikanët. Zoti Bolton është pesimist për të ardhmen e Afganistanit pas tërheqjes amerikane.

“Mundësia e tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga Afganistani në vitin 2014 u sjell shpresë Talibanëve se ata përsëri mund ta kontrollojnë vendin. Mendoj se ka shumë të ngjarë që një gjë e tillë të ndodhë, gjë që padyshim do të ishte një rezultat jashtëzakonisht negativ nga perspektiva amerikane. Sipas mendimit tim tërheqja jonë nga Afganistani, pavarësisht nga mundësia e rikthimit të Talibanëve dhe al-Kaidës në pushtet dhe rreziqet që një gjë e tillë mund t’u sjellë Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera, është një vendim i verbër”.

Zyrtarët amerikanë dhe afganë janë të angazhuar në negociatat mbi nivelin e pranisë ushtarake amerikane pas vitit 2014, një prani që pritet të jetë dukshëm më e vogël se sa tani. Ish-Sekretari i Mbrojtjes William Cohen thotë se një forcë ushtarake ndërkombëtare duhet të vazhdojë të jetë e pranishme në Afganistan.

“Nuk mund të ketë thjesht vetëm një prani amerikane. Shumë vende të tjera duhet ta kuptojnë se ruajtja e qëndrueshmërisë në Afganistan është në interes të botës. Nëse të gjithë largohen, atëherë unë mendoj se do të ketë një kthim në status quo. Kjo nuk është e dëshirueshme. Por Shtetet e Bashkuara nuk mund të jenë i vetmi vend i shqetësuar për qëndrueshmërinë në Afganistan, prandaj nëse vendoset të ketë një prani të forcave ushtarake, ajo forcë duhet të jetë ndërkombëtare e jo vetëm amerikane”.

Për shumë vite, një nga kërkesat kryesore të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore ishte luftimi i korrupsionit nga presidenti afgan Hamid Karzai. Por shumë ish-zyrtarë të qeverisë amerikane, përfshirë ambasadorin John Bolton, thonë se çrrënjosja e traditës së rryshfetit ishte një synim fisnik por zoti Karzai nuk ishte në gjendje ta realizonte.
Edhe ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, gjenerali Brent Scowcroft, thotë se Shtetet e Bashkuara kishin shpresa jorealiste për atë që mund të arrihej në Afganistan dhe Irak.

“Ne nuk mund të ndërhyjmë në një afat kohor të shkurtër dhe të ndryshojmë shoqërinë e një vendi. Ne e kemi provuar disa herë këtë dhe arritja e saj është përtej aftësive tona. Pra, kur ne mendojmë të ndërmarrim veprime në një vend tjetër, ne duhet ta kuptojmë se çfarë veprime janë reale dhe çfarë veprime nuk janë reale. Si në Irak ashtu edhe në Afganistan, ne kishim në mendje plane të mëdha për ndryshimin e këtyre shoqërive dhe kthimin e tyre në demokraci. Kjo thjesht nuk mund të realizohet brenda natës. Kjo kërkon angazhim me intensitet të lartë dhe një përkushtim të madh që ne nuk mund ta përjetësojmë. Prandaj, ne duhet t’i analizojmë me kujdes aspiratat tona”.

Gjenerali Scowcroft thotë se në Shtetet e Bashkuara ekziston një lodhje nga luftërat.

“Mendoj se luftërat në Afganistan dhe Irak kan krijuar një ndjenjë të fortë për tërheqje. Psikologjikisht kjo mund të jetë e dëmshme. Unë nuk e di se si është e ardhmja, por kalimi nga një ekstrem në tjetrin është proces i rrezikshëm”.

Ekspertët thonë se edhe në Evropë ka një lodhje nga lufta. Dhe ata thonë se kjo nuk është shenjë e mirë për vendosjen e një force të vogël ushtarake ndërkombëtare për të zëvendësuar atë që do të qëndrojë në Afganistan deri në fund të vitit 2014.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG