Lidhje

SHBA: Anëtarët e Kongresit në pritje të garave të vështira elektorale


SHBA: Anëtarët e Kongresit në pritje të garave të vështira elektorale
SHBA: Anëtarët e Kongresit në pritje të garave të vështira elektorale

Amerikanët në tre nga 4 shtetet që votuan të martën mbështetën kandidatin e opozitës. Analistët thonë se rezultati flet për një vit të vështirë për anëtarët aktualë të Kongresit, të cilët kandidojnë përsëri në zgjedhjet e nëntorit.

Senatori Demokrat Arlen Spekter nga Pensilvania, pa të martën në mbrëmje përfundimin e karrierës së tij 30 vjeçare, kur humbi ndaj anëtarit të Kongresit Xho Sestak, në zgjedhjet paraprake të partisë demokrate.

Senatori Spekter ishte republikan deri vitin e kaluar, kur ai kaloi në partinë demokrate me mbështetjen e Presidentit Obama. Rivali i tij, Xho Sestak, gjatë reklamave në fushatën e tij, e akuzonte zotin Spekter se kishte ndërruar parti nga frika se do të humbte vendin e tij në Senat.

"Nuk mund t’i vësh faj, sepse e kanë vuajtur këtë gjë në kurriz. Për shumë dekada, pushtetarët e Washingtonit i kanë çuar në këtë gjendje konfuze. Ne e dimë se ata nuk kanë besim tek politikanët e karrierës për t’i nxjerrë nga kjo situatë.”

Zoti Sestak do të përballet me kandidatin republikan Pat Tumi, në zgjedhjet e nëntorit për në Senat.

Në shtetin Arkansas, demokratja e qendrës Blansh Linkoln nuk arriti të fitonte shumicën e votave ndaj kandidatit të majtë të Partisë Demokrate, prandaj në qershor do të zhvillohet balotazh për kandidaturën e kësaj partie.

David Hawkings është kryeredaktor i gazetës “Congressional Quarterly Weekly”, një nga mediat kryesore që mbulon Kongresin:

“Ky ka për të qenë një vit me një frymë kundër anëtarëve të Kongresit dhe kundër Washingtonit që mbetet për t’u parë në se do të ndikojë tek Partia Demokrate.”

Zoti Hawkings thotë se demokratët mendojnë se nuk do të ketë ndonjë valë të fortë republikane që do të shkaktojë humbjen e vendeve të tyre në Kongres. Ai përmend zgjedhjet e posaçme që u zhvilluan në Pensilvani, pas vdekjes së kongresmenit Xhon Murtha. Ndihmësi për një kohë të gjatë i zotit Murtha, demokrati Mark Kritz fitoi të martën në një zonë konservatore, që ka votuar historikisht për republikanët.

Një tjetër goditje për kongresmenët aktualë iu bë republikanëve në Kentaki, ku aktivisti i ri konservator me grupin e quajtur Tea Party arriti një fitore të thellë ndaj kandidatit republikan Tray Grajson, i cili ishte dhe sekretar i shtetit të Kentakit. Rand Pol, djali i kandidatit presidencial Ron Pol bëri këtë deklaratë në fjalimin e fitores si kandidati republikan:

"Unë kam një mesazh nga organizata “Tea Party”, mesazhi eshtë i qartë dhe i fortë. Ne kemi ardhur për të rimarrë drejtimin e qeverisë sonë.”

Por analisti Hawkings thotë se kjo fitore e zotit Pol tregon se “Tea Party” është një grup kundër qeverisë së madhe, kundër taksave, dhe që ka aftësinë të mobilizojë votuesit dhe që duhet patur parasysh. Por analisti thotë gjithashtu se fitoret e grupit Tea Party mund të jenë të dëmshme për partinë republikane në zgjedhjet e nëntorit, pasi kandidatët e këtij grupi shikohen si shumë radikalë nga votuesit e qendrës.

Analisti Hawkings dhe të tjerë paralajmërojnë analistët që të mos bazohen shumë në rezultatet e të martës, pasi kanë mbetur më shumë se 5 muaj deri në zgjedhjet e nëntorit për në kongres.

Historikisht, partia që është në pushtet humbet vende në zgjedhjet për në kongres 2 vjet pas fitores së një presidenti të ri të së njëjtës parti. Shtrohet pyetja: Sa vende do të humbasin demokratët? Republikanëve do t’u duhet të fitojnë 40 vende në zgjedhjet e nëntorit, që të sigurojnë përsëri shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.

XS
SM
MD
LG