Lidhje

Shtohen shitjet e armëve pas tragjedisë


Shitjet e armëve në Shtetet e Bashkuara kanë arritur nivele rekord pas vrasjes së 20 fëmijëve dhe 6 të rriturve në shkollën fillore Sandy Hook në Newtown të shtetit Connecticut. Kjo tragjedi dhe ngjarje të tjera të ngjashme gjatë vitit të fundit kanë nxitur thirrjet për kufizime të reja mbi shitjen e armëve. Në Uashington, shumë njerëz që mbështesin armëmbajtjen po blejnë armë përballë mundësisë së ndalimit të shitjes së armëve të tilla.

Në Engage Armament në periferi të Uashingtonit, klientët presin në radhë para se të hapet dyqani. Pronari i dyqanit, Andrew Raymond thotë se që prej vrasjeve në Njutaun shitjet e armëve sulmuese kanë arritur nivele rekord.

“Është e qartë se kërkesa është shumë e madhe, ndërkohë që furnizimi është shumë i kufizuar. Të gjithë shitësit në Internet kanë shitur çdo armë gjatë fundjavës së kaluar. Ne jemi i vetmi dyqan apo furnizues që kemi pak armë”.

Frika e ndalimit të shitjes së armëve sulmuese ka bërë që përkrahësit e armëmbajtjes të nxitojnë për të blerë armë të tilla.

Kjo armë normalisht shitet për 1,200 deri 1,300 dollarë. Sot zoti Raymond po e shet atë për 1,600 dollarë.

“Do t’u garantoja se nëse kemi ndonjë armë të tilla javën e ardhshme, ose nëse marrin furnizim tjetër, ne mund ta shesim këtë armë për 1,800 deri 1,900 dollarë”.

Por Andrew është i shqetësuar. Nëse ndalohet shitja e armëve sulmuese, dyqani i tij, i cili specializohet në shitjen e tyre, mund të detyrohet të falimentojë.

Të mërkurën Presidenti Barack Obama caktoi një komision të posaçëm për të hartuar propozime për parandalimin e dhunës nga armët dhe t’ia dërgojë ato Kongresit në fillim të vitit të ardhshëm. Pjesë e këtyre përpjekjeve pritet të përfshijë ndalimin e shitjes së armëve sulmuese.

“Shumica e amerikanëve mbështesin ndalimin e shitjes së armëve sulmuese të stilit ushtarak. Shumica e amerikanëve mbështesin ndalimin e shitjes së armëve me kapacitet të lartë mbushjesh”.

Para gati 4 vjetësh, Shtetet e Bashkuara përjetuan nivele të ngjashme rekord në shitjen e armëve, pas zgjedhjes së Presidentit Obama. Shumë pronarë armësh menduan se si demokrat liberal, zoti Obama do të përpiqej të kufizonte shitjen e armëve.
Shitësit e armëve në këtë panair armësh në vitin 2009 thanë se shitjet e tyre u shtuan me 60 për qind në vitin 2008. Annette Elliott ishte reklamuese e panairit.

“Nuk ka asnjë dyshim se ne kemi marrë porosi të shumta dhe blerësit janë në pritje të armëve. Shitjet e shumta filluan në nëntor pasi një numër i madh blerësish porositën armë në tetor, kur u pa qartë se Obama do të fitonte”.

Por gjatë 4 vjetëve të fundit nuk pati kufizime të reja armësh. Tani përkrahësit e armëmbajtjes besojnë se kohërat kanë ndryshuar.

“Mendoj se kur vriten 20 fëmijë, kur ndodhin sulme të tilla si në Aurora të Kolorados, në një tempull hindu, të shtëna armësh në një moll në shtetin Oregon e të tjera është gati e sigurtë se do të miratohen ligje për kufizimin e madh të armëve të tilla”.
XS
SM
MD
LG