Lidhje

SHBA: Armët taktike bërthamore tema tjetër në bisedimet me Rusinë


SHBA: Armët taktike bërthamore tema tjetër në bisedimet me Rusinë
SHBA: Armët taktike bërthamore tema tjetër në bisedimet me Rusinë

Administrata Obama thotë se pakësimi i armëve taktike bërthamore të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë do të jetë objektivi që pason ratifikimin e të mërkurës të traktatit për pakësimin e armëve strategjike me Moskën. Zyrtarët amerikanë thonë se presin ispektime të shumta për armët strategjike, të cilat u ndërprenë vitin e kaluar dhe që do të rifillojnë sërish deri në muajin prill. Korrespodenti i Zërit të Amerikës, Dejvid Gollast na sjell hollësi nga Departamenti i Shtetit.

Ende në valën e festimeve të ratifikimit të traktatit të ri START nga Senati amerikan, zyrtarët e administratës i kanë drejtuar sytë nga një objektiv i ri dhe ndoshta më i vështirë, shkurtimin e arsenaleve të armëve taktike bërthamore amerikane dhe ruse.

Kjo kategori e gjerë armësh përfshin mjetet bërthamore në formën e minave, predhave të artilerisë, raketave me rreze të shkurtër që janë dukshëm më të vogla e që përbëjnë rrezik më të madh për t’u përhapur se sa armët strategjike me rreze të gjatë që përfshihen në traktatin e ri START.

Në një konferencë telefonike me gazetarët, ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit për kontrollin e armëve, verifikimin dhe zbatimin, Roz Gotmoller tha se Presidenti Obama dhe senatorët amerikanë të të dy partive janë të predispozuar të merren më tej me armët taktike.

" Rusët kanë një numër më të madh se ne të këtyre sistemeve dhe do të thosha se ka patur një nxitje të fortë nga Kongresi që të lëvizim në këtë drejtim. Kjo është diçka për të cilën Presidenti Obama ka folur kur nënshkroi traktatin e ri START në Pragë në prill të vitit 2010. Ai tha se hapi i ardhshëm do të ishte pakësimi i armëve taktike bërthamore, si dhe i armëve që ndodhen nëprë depo".

Besohet se Rusia ka disa mijëra armë taktike, ndërsa Shtetet e Bashkuara mund të kenë më pak se një mijë, nga të cilat një pjesë e vogël të stacionuara në Evropë.

Moska ka këmbëngulur për një kohë të gjatë se të gjitha armët taktike të Shteteve të Bashkuara të hiqen nga Evropa para se të fillojnë bisedimet. Gotmoller tha se Rusia mund ta zbutë qendrimin e saj, por ajo nuk parashikon se negociatat për këtë çështje do të fillojnë para fundit të vitit 2011.

Gotmoller, kryenegociatorja amerikane për traktatin e ri START, tha se pret që Ruisa ta ratifikojë traktatin nga fundi i janarit ose fillimi i shkurtit dhe tha se procesi kritik i inspektimeve reciproke do të fillonte 60 ditë më pas.

Periudha 15 vjeçare e inspektimeve të armëve strategjike të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë përfundoi me skadimin e afatit të traktatit të mëparshëm mëse një vit më parë. Gotmoller tha se sa më tepër që të shtyheshin inspektimet, aq më tepër do të dëmtohej besimi reciprok.

" Kjo çon në rastin më të keq të planifikimit. Kjo çon në shpenzime të shumta që vinë nga planifikimi i keq. Dhe këto janë ato çështje shumë, shumë të rëndësishme për ushtrinë tonë. Prandaj, jam sinqerisht e kënaqur që ne do të rifillojmë inspektimet dhe kontrollin e drejtpërdrejtë të të forcave strategjike të njeri tjetrit 60 ditë pas hyrjes në fuqi të traktatit të ri START”.

Negociatorja e armëve tha se përfundimi i betejës në Senat të mërkurën me ratifikimin e traktatit me 71 vota pro dhe 26 kundër, mund të jetë i dobishëm për përpjekjet afatgjata për kontrollin e armatimeve, pasi ai ka ngjallur interesin e publikut për çështje të tilla dhe ka sjellë një brez të ri senatorësh amerikanë në debat.

XS
SM
MD
LG