Lidhje

SHBA: Autoritetet vazhdojnë hetimet për kërcënimin për sulme terroriste


SHBA: Autoritetet vazhdojnë hetimet për kërcënimin për sulme terroriste
SHBA: Autoritetet vazhdojnë hetimet për kërcënimin për sulme terroriste

Sekretarja amerikane e Sigurisë Kombëtare Janet Napolitano po i bën thirrje amerikanëve të jenë “vigjilentë” dhe të njoftojnë autoritetet për çdo aktivitet të dyshimtë, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për atë që autoritetet thonë se është një kërcënim i besueshëm, por i pakonfirmuar terrorist që është planifikuar të përkojë me 10 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtator 2001.

Në Nju Jork janë ngritur postblloqe në të gjitha urat dhe tunelet në hyrje dhe dalje të Manhatanit. Në stacionet e trenave është shtuar prania e policisë dhe po zhvillohen kontrolle të rastit.

Në një deklarat të bërë dje, sekretarja Napolitano tha se autoritetet federale po punojnë në zbatimin e siç tha ajo masave të “dukshme dhe të padukshme” për të shmangur çdo rrezik. Por ajo tha se mbrojtja e Shteteve të Bashkuara është një “përgjegjësi e përbashkët” dhe të gjithë banorët mund të luajnë një rol.

Disa hollësi janë publikuar në lidhje me natyrën e kërcënimit, por Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton la të kuptohet se al-Kaida mund të jetë pas këtij kërcënimi.

Gjatë një fjalimi kundër terrorizmit dje në Nju Jork ajo e përshkruajti kërcënimin si një njoftim se “al-Kaida përsëri po kërkon të dëmtojë amerikanët dhe në veçanti objektivat në Nju Jork dhe Uashington”.

“Ne jemi duke marrë seriozisht këtë kërcënim. Autoritetet federale, shtetërore dhe lokale janë duke marrë të gjitha hapat për trajtimin e këtij kërcënimi. Dhe sigurisht duke e bërë atë publik, siç është bërë dje, ne synojmë angazhimin e miliona amerikanëve në Nju Jork që të jenë sy hapur dhe vigjilentë”.

Autoritetet në të dy këto qytete thonë se kanë rritur personelin e policisë për ditët e ardhshme, por se rreziku i një sulmi nuk do të ndërpres ceremonitë që do të mbahen nesër për nder të 10 vjetorit të sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Të premten, Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg udhëtoi me tren për t’u treguar banorëve se Nju Jorku është i sigurt dhe ata duhet të vazhdojnë jetën e tyre normale.

“Nuk duhet të lejoni al-Kaidën apo ndonjë organizat tjetër terroriste, t’ju marri liritë tuaja pa bërë asnjë të shtënë. Është thjesht qesharake. Të jeni të sigurt se shumë gjëra që për ata janë kërcënuese janë gjëra që ne vazhdojmë t’i bëjmë: flasim lirisht, lutemi ku ne duam të lutemi, jemi përgjegjës për fatin tonë, sigurohuni që të gjithë ata që jetojnë në shoqërinë tonë të gëzojnë të njëjtat të drejta dhe privilegje”.

Shtëpia e Bardhë thotë se kërcënimi më i ri terrorist nuk ka ndryshuar planet e presidentit Barak Obama për të përkujtuar përvjetorin e 11 shtatorit 2001. Presidenti Obama të dielën ka në plan të vizitoj vendet që janë goditur nga terroristët me 11 shtator 2011 në Nju Jork, Pentagon dhe në Shanksville të Pensilvanisë.

XS
SM
MD
LG