Lidhje

Bushati: Duhet më shumë vëmendje e SHBA-së në Ballkan


Intervista, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë komenton situatën në Ukrainë dhe implikimet në rajonin e Ballkanit perëndimor

Në takimin e sotëm të Natos në Bruksel, ishte dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ministri Bushati komenton qëndrimet e Aleancës për cështjen e Ukrainës dhe aneksimin e Krimesë nga Rusia, implikimet e mundshme në Ballkan dhe qëndrimet e disa vendeve të rajonit ndaj kësaj cështjeje. Me Ministrin e Jastëm shqiptar, bisedoi korrespondenti ynë Armand Mero, i cili po ndjek në Bruksel ministerialin e Natos.

Zoti Bushati, sot Nato festoi përvjetoret e zgjerimit të saj pas Luftës së Ftohtë, mes të cilave edhe 5 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë. 5 vjet në Nato, cfarë ka përfituar Shqipëria?

“Së pari më lejoni të theksoj se anëtarësimi i Shqipërisë në Nato përbën pikën më kulmore të procesit të ribashkimit të kombit shqiptar me vlerat e civilizimit euroatlantik. Gjatë kësaj kohe në Nato, Shqipëria ka dëshmuar seriozitet, profesionalizëm, dhe ka qenë një pol stabiliteti për Naton në rajon”.

Sot kryefjala e Natos, është Ukraina, ndërhyrja e Rusisë, Europa e kërcënuar nga pikëpamja e sigurisë. Sa shqetësuese është kjo, në një kohë kur askush nuk ende di të thotë sot nëse Rusia e ka ndalur hapin e saj?

“Kjo ka qenë një ndër pikat më të forta në të cilat është ndalur edhe ministeriali i sotëm. Aneksimi i Krimesë në mënyrë të paligjshme nga ana e Rusisë, përsa i përket parimeve të së drejtës ndërkombëtare, ka vënë në pikëpyetje rendin e ri global dhe ka sjellë edhe një herë si temë të parë, cështjet e sigurisë në Europë dhe rajon. Në këtë këndvështrim edhe ne kemi mbrojtur pikëpamjen se dhe Nato duhet të ridimensionojë qëndrimin e saj, dhe duhet të ketë një politikë më kohezive dhe më të fortë në rajon, për të garantuar sigurinë, aq më tepër kur ka zona në gardhin e Natos, në oborrin e Natos të cilat mund të bëhen pre e rivaliteteve mes dy boshteve të ndryshme”

A mendoni se kjo krizë do të sjellë një ridimensionim edhe të qëndrimit të SHBA-ve ndaj cështjeve të sigurisë në Europë, duke qenë se deri tani vëmendja e saj ka qenë e përqëndruar kryesisht në Azi apo Lindjen e mesme....

“Në shpresojmë shumë se do të ketë një vëmendje dhe një fokus më të qartë të SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së për të siguruar përfundimin e procesit të riunifikimit të kontinentit, për të siguruar një ndërveprim më të mirë në fushën e sigurisë, në fushën e diplomacisë dhe në fushën e shërbimeve inteligjente dhe për të siguruar gradualisht një konvergjencë më të mirë ekonomike dhe sociale. Sot ka ende boshllëqe përsa i përket cështjeve të sigurisë, në rast se do të shohim hartën nga Portugalia në Stamboll, jo të gjitha vendet e Ballkanit janë të ankoruara në kuptimin më të qartë të mundshëm dhe në mënyrë të pakthyeshme në rrjedhat euroatlantike. Sikundër qasja e Rusisë me vendet e partneritetit lindor, është një qasje shqetësuese e cila na kë bërë të gjithëve, qoftë edhe Shqipërinë në mënyrë modeste, për ta parë anëtarësimin e saj në Nato dhe proceset e integrimit europian në një frymë edhe më rajonale, duke projektuar stabilitet demokratik në rajon dhe duke nxitur NATO-n që të jetë më e vëmendshme me veprime konkrete në rajon. Kur flas për veprime konkrete kam parasysh ndërveprueshmërinë, kapacitetet tona mbojtjëse dhe mbi të gjitha shpirtin politik që duhet ta udhëheqë këtë proces”.

A druhet Nato apo dhe Shqipëria se mund të ketë një efekt domino në Ballkan, një rajon jo plotësisht i qëndrueshëm. Përvec Shqipërisë dhe Malit të zi, asnjë nga vendet e tjera të rajonit nuk ju bashkangjitën sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë

“Natyrisht është shqetësues fakti që vendet të cilat kanë një marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin europian dhe janë në detyrim të qartë nga kjo marrëdhënie për të ndjekur politikën e jashtme të BE-së, me qëndrime dhe veprime konkrete, nuk ju bashkangjitën asaj. Edhe për këtë arsye, ne besojmë se një vëmendje e sinkronizuar e SHBA-ve, BE-së dhe NATO-s për rajonin tonë, do t’i jepte jo vetëm një zgjidhje cështjeve të ndryshme të sigurisë që presin aty dhe nuk janë adresuar sic duhet, por do ta ankoronte plotësisht të gjithë rajonin tonë në rrjedhat euroatlantike, duke evituar precedentë të mundshëm që këto ditë fatkeqësisht, Rusia i ka artikuluar në mënyrë inkoherente, sic është krahasimi i Krimesë me Kosovën, që është një krahasim pa bazë, si të krahasosh mollën me portokallin”.

Zoti Bushati, Shqipëria 5 vjet në Nato, por përsa i përket integrimit europian, janë 5 vite në vendnumëro. Nesër në Bruksel, kryeministri Edi Rama do të ketë një takim me komisionerin për Zgjerimn Stefan Fyle. Cili do të jetë fokusi i këtij takimi?

“Natyrisht, si vizita e kryeministrit në Gjermani me kancelaren gjermane, edhe takimi i tij i nesërm në Bruksel me komisionerin për Zgjerimin do të ketë fokus të vecantë, cështjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Me kënaqësi vihet re një opinion gjithnjë e më pozitiv i vendeve anëtare për të shkuar drejt dhënies së Statusit, bazuar në meritë dhe reformat e brendshme. Besoj se temat kryesore të dikutimit do të jenë rishikimi i progresit dhe evidentimi i hapave të mëtejshëm që Shqipëria duhet të marrë në këtë proces të vështirë. Kur them Shqipëria, nuk kam parasysh vetëm qeverinë dhe angazhimin e saj të palëkundur në këtë proces, kam parasysh një bashkëpunim e bashkëveprim politik, i cili është jashtëzakonisht i domosdoshëm. Dhe në dritën e zhvillimeve në Ukrainë dhe në Europën lindore e bën edhe më të domosdoshme vetdijen tonë kombëtare për të vepruar së bashku kur vjen puna për procese madhore, sic janë procesi i integrimiteuropian apo integrimit euroatlantik. Nuk është në lojë thjesht dhe vetëm kredibiliteti i Shqipërisë, por besoj nga ecuria e Shqipërisë në këto procese do të ketë impakt pozitiv e gjithë hapësira shqipfolëse në rajon, dhe i gjithë rajoni i Ballkanit perëndimor në rrugëtimin e tij drejt hapësirës euroatlantike”.
XS
SM
MD
LG