Lidhje

SHBA: Banka Qendrore redukton programin stimulues


Banka Qendrore amerikane po vazhdon të reduktojë ndihmat stimuluese për ekonominë amerikane. Vendimarrësit amerikanë thanë dje se muajin e ardhshëm, Rezerva Federale do të pakësojë sasinë e letrave me vlerë që blen me synimin për të mbajtur të ulëta normat e interesit dhe shtimin e vendeve të punës. Ata thonë se rreshjet e shumta të borës gjatë këtij dimri kanë ngadalësuar ritmet e rritjes ekonomike, por ekonomia ka një energji të mjaftueshme për të gjeneruar vende të reja të punës në muajt e ardhshëm.

Shefja e re e Rezervës Federale Janet Yellen tha se ritmet papunësisë në 6.7% gjatë muajit shkurt janë ende tepër të larta krahasuar me standardet tradicionale në Shtetet e Bashkuara, por economistët e Bankës Qendrore parashikojnë se këto shifra do të vazhdojnë të ulen gjatë vitit, ndoshta deri në 6.1% dhe pritet të arrijnë nivele normale në 2016.

Banka Qendrore gjatë vitit të kaluar blinte letra me vlerë në shumë 85 miliardë dollarë në muaj, në përpjekje për të përshpejtuar ritmet e rimëkëmbjes pas krizës së 2009, periudha më e rëndë ekonomike që nga vitet 1930.

Pas një takimi dy ditësh në Uashington, Rezerva Federale tha se do t’i reduktojë blerjet në 55 miliardë dollarë në prill, një zbritje e mëtejshme nga shuma aktuale prej 65 miliardë dollarësh në muaj. Plani është që programi i blerjeve të përfundojë plotësisht brenda këtij viti.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG