Lidhje

SHBA, BE sanksione ndaj Rusisë


Presidenti Barak Obama shprehu sot mbështetjen e palëkundur për Ukrainën, një ditë pas shpalljes së pavarësisë nga Krimea dhe synimin e këtij gadishulli për t’u bashkuar me Rusinë.

“Gjatë muajve të fundit, ndërsa qytetarët e Ukrainës kanë ngritur zërin e tyre, ne jemi udhëhequr nga një parim bazë, e ardhmja e Ukrainës duhet të vendoset nga banorët e saj. Kjo do të thotë që të respektohet sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit dhe të respektohet ligji ndërkombëtar”, tha presidenti Obama.

Shtëpia e Bardhë njoftoi bllokimin e pasurive të 11 zyrtarëve rusë për shkak të nxitjes politike që i dhanë pavarësisë së Krimesë nga Ukraina dhe mundësisë së aneksimit të saj nga Rusia.

Uashingtoni, tha presidenti, është i gatshëm të ndërmarrë sanksione të mëtejshme, në se Rusia e përshkallëzon situatën.

Për të bashkrenduar qëndrimin me Bashskimin Evropian dhe Naton, nën presidenti Baiden do të niset sot për në Evropë. Vetë Presidenti Obama ka në plan të udhëtojë në Evropë javën e ardhshme.

Edhe Bashkimi Evropian njoftoi sot sanksine të mëtejshme ndaj Rusisë duke mos lejuar udhëtimin në vendet e BE-së të 21 zyrtarëve rusë dhe ukrainas, si dhe duke vendosur sanksione tregëtare. Duke folur pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel, ministri i Jashtëm francez Laurent Fabius tha se BE-ja synon të tregojë vendosmërinë ndaj një vendimi të papranueshëm të Rusisë.


“Vendimi i parë është një gamë sanksionesh ndaj disa udhëheqësve të Krimesë dhe atyre rusë. Këto sanksione përfshijnë ngrirjen e pasurive të tyre dhe kufizime udhëtimi. Ne morrëm vendimin për të propozuar dërgimin e një misionit të OSBE në të gjithë Ukrainën dhe t’i japim përkrahje politike dhe financiare Ukrainës. Ne duam të tregojmë vendosmëri ndaj vendimit të papranueshëm të Rusisë dhe të hapim dyert e dialogut për të parandaluar shkallëzimin e situatës”, tha ministri i jashtëm francez.

Emrat e zyrtarëve të prekur nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës nuk janë bërë ende të ditur, por pritet që mes tyre të ketë këshilltarë nga rrethi i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin.

Veç sanksioneve nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, aleanca e NATO-s, e quajti sot referendumin të paligjshëm, duke shtuar se votimi shkel kushtetën e Ukrainës dhe ligjet ndërkombëtare. Zyrtarët e Krimesë do të kërkojnë sot bashkim me Rusinë. Këtu në Washington Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur më parë se asnjë vendim për të ardhmen e Ukrainës nuk mund të merret pa u konsultuar me qeverinë e Ukrainës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG