Lidhje

50 Vjetori i Beatles-ave në SHBA


Beatles, Ed Sullivan Show
Beatles, Ed Sullivan Show
Kjo javë shënon 50 vjetorin e shfaqjes së parë të Beatles-ave në Shtetet e Bashkuara dhe fillimin e “Beatlemanisë” në këtë vend. Sot, 50 vjet më pas, Beatles-at, janë fakt i përhershëm i jetës moderne, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por kudo në botë.

Kur Beatles-at mbërritën në Nju Jork më 7 shkurt 1964...pak njerëz e dinin se muzika dhe kultura amerikane do të ndryshonte përgjithmonë.
Pak, me përjashtim të admiruesve të tyre.

“Tre mijë adoleshentë janë duke ulëritur në aeroportin Kennedy të Nju Jorkut për të përshendetur...Beatlesat...”

“Disa kritikë të muzikës e quajnë harmoninë e tyre padyshim diatonike. Disa të tjerë thonë se është pandiatonike. Disa prindër thonë se është thjeshtë kaotike...”

Beatlemania në atë kohë ishte përhapur në Britani, por Beatles-at sapo ishin bërë të njohur në Amerikë. Beatlesat kishin formuar grupin e tyre, jo në Londrën e klasës së lartë, por në Liverpulin e shtresës punëtore, ku u rritën mes një kulture plot humor.

“Takimi i tyre i parë me shtypin amerikan u karakterizua nga një intervistë me humor”.

Gazetari: Ç'mund të na thoni për fjalët se ju përfaqësoni një lloj rebelimi social?
Beatle: Është një gënjeshtër e ndyrë.

“Kur arritën në Amerikë, ata kishin mësuar se si të silleshin...”

Studiuesi i Beatlesave Ken Womack është laureat i universitetit Penn State dhe redaktor i librit “The Cambridge Companion to the Beatles.” Ai thotë se Beatles-at kishin qenë nën vëzhgimin e shtypit britanik për një vit kështu që ishin gati për t’u përballur me shtypin amerikan.

“Kur u intervistuan nga gazetarët që i mbytën me pyetje, Beatlesat u përgjigjën plot humor”.

Gazetari: Keni ndërmend t’i prisni flokët?

Beatle: Jo faleminderit.

Një Beatle tjetër: I preva dje.

“Diçka ndodhi në rrugën e autokolonës...”

Beatlesat mbërritën në një vend që ende vajtonte vdekjen e presidentit John F. Kennedy, i cili ishte vrarë pak muaj më parë. Amerikanët kërkonin diçka që t’u ngrinte humorin.

Beatlesat sollën ngazëllim.

“...me muzikën e tyre...thjeshtë me praninë, humorin, mprehtësinë e tyre, ata ndihmuan Shtetet e Bashkuara të linte pas atë periudhe zie...dhe i dhanë shtysë viteve ’60, ashtu si i njohim sot...”

Beatles-at erdhën në Shtetet e Bashkuara për të interpretuar në shfaqjen Ed Sullivan dhe më shumë se 70 milion njerëz e ndoqën atë mbrëmje të diele. Në atë kohë, ishte publiku më i madh për një emision argëtues.

Pak kohë më pas, pesë këngë të grupit u bënë shumë të famshme në vend, thotë Ray McDonald i Zërit të Amerikës:

“Shumë vajza dhe djem adoleshentë i pëlqenin jashtë mase Beatles-at.”
“Duken si dikush që mund ta ftosh në shtëpi për ta njohur me prindërit, por pastaj ndryshon mendje”.

“Ata dukeshin dhe visheshin ndryshe. Ishin influencuar nga R&B Amerikane...Pa dyshim ndryshe nga muzika që dëgjonin prindërit e tyre”.

Sot Beatles-at dëgjohen si nga prindër ashtu edhe nga të rinj:

“Çdokush i njeh ata. Janë figura folklorike. Kështu që i përkasin shumë brezave”.

“Sot, 50 vjet më pas, Beatles-at, janë fakt i përhershëm i jetës moderne, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara apo botën perëndimore, por kudo në botë...dhe arsyeja është se ata ishin më të mirët”.
XS
SM
MD
LG