Lidhje

SHBA: Senati miraton drejtorin e ri të CIAs


Senati i Shteteve të Bashkuara konfirmoi kandidatin e Presidentit Barak Obama si drejtor të Agjencisë Qendrore të Zbulimit amerikan, këshilltarin e kundërterrorizmit, Xhon Brenën. Me 63 vota pro dhe 34 kundër mori fund një proces kontradiktor që u shty mes debateve të ashpëra lidhur me përdorimin e avionëve pa pilot. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Majkëll Bouman na sjell hollësi.

Me më shumë se 30 vjet përvojë në çështjet e zbulimit amerikan, aftësia e Xhon Brenënit për të drejtuar CIA-n nuk u vu asnjëherë në diskutim. Në fakt, pjesa më e madhe e debateve lidhur me emërimin e tij nuk kishte të bënte fare me vetë zotin Brenan.

Gjatë debatit për konfirmimine tij muajin e kaluar, senatorët i bënë shumë pyetje Xhon Brenënit lishur me goditjet e avionëve amerikanë pa pilot në Jemen dhe Afganistan. Në fillim të kësaj jave, republikanët kërkuan përgjigje nga administrata Obama rreth mundësisë së përdorimit të avionëve të tillë për të vrarë amerikanë në teritorin e Shteteve të Bashkuara. Kur Prokurori i Përgjithshëm Erik Holder nuk e përjashtoi përdorimin e tyre, Senatori Rand Pol foli në Senat për 13 orë rresht të mërkurën për të shtyrë votimin për konfirmimin e zotit Brenën.

“Presidenti thotë se ‘nuk kam vrarë njeri deri tani’. Ai vazhdon më tej duke thënë se ‘nuk synoj të vras amerikanë, por mund të vras’. Nuk është kjo e mjaftueshme? A jemi ne të kënaqur me këtë përgjigje?”

Republikanë të tjerë e kritikuan Senatorin Pol. Senatori Xhon Mekein e quajti ‘qesharake’ edhe sugjerimin se presidenti mund të angazhojë avionë pa pilot për të vrarë shtetasit amerikanë në situata jo emergjente.

Pak para votimit, Senatori Pol tha se ishte i kënaqur me një letër që kishte marrë nga Prokurori i Përgjithshëm Holder, në të cilën ai shpjegon se në fakt presidenti nuk ka autoritetin të përdorë avionët pa pilot për të vrarë ndonjë amerikan që nuk është i angazhuar në luftime në tokën amerikane.

Agjencia Qendore e Zbulimit amerikan kishte mbetur pa drejtor që kur Dejvid Petreas dha dorëheqjen vitin e kaluar, fakt që u vu në dukje nga kryetarja e Komisionit të Senatit për Zbulimin, Dajen Fainstain.

“Pozita e drejtorit të CIA-s duhet të mbushet. Pesë muaj është një kohë e gjatë për ta lënë atë të hapur. Dhe unë dhe 12 anëtarët e komisionit besojmë se Xhon Brenën është personi i përshtatshëm për atë post”.

Para se të shërbente si këshilltar i Shtëpisë së Bardhë për kundër terrorizmin, zoti Brenën kishte patur një karierë të gjatë në Agjencinë Qendrore të Zbulimit amerikan që kishte filluar në vitin 1980.
XS
SM
MD
LG