Lidhje

SHBA, Britania, Pakistani dënojnë publikimin e dokumenteve sekrete


Julian Assange, themelues i "Wikileaks"
Julian Assange, themelues i "Wikileaks"

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Pakistani dënuan publikimin e dokumenteve sekrete të ushtrisë amerikane mbi luftën në Afganistan. Faqja elektronike Wikileaks publikoi të dielën dhjetëra mijëra dokumenta në internet. Aty përfshiheshin hollësi mbi viktimat nga radhët e civilëve dhe pretendime se shërbimi pakistanez i zbulimit po punonte me kryengritësit afganë, të cilët sulmojnë trupat e koalicionit. Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar si ‘të papërgjegjshëm’ publikimin e këtyre dokumentave:

90 mijë dokumentat e publikuara në faqen elektronike WikiLeaks mbulojnë periudhën e 6 vjetëve të fundit në Afganistan dhe ofrojnë hollësi shokuese për sulmet me raketa e deri tek akuzat se ka një bashkëpunim të fshehtë mes zbulimit pakistanez dhe kryengritësve që amerikanët duan të mundin në Afganistan.

Gazetari Eric Schmitt ishte pjesë e ekipit që analizoi dokumentat për të përditshmen New York Times:

“Zbulimi më tronditës këtu janë hollësitë e reja për bashkëpunimin që thuhet se kanë krijuar shërbimi pakistanez i zbulimit dhe grupet ekstremiste, përfshirë talebanët në Afganistan, të cilët bashkërendojnë sulme brenda Afganistanit kundër forcave amerikane dhe atyre të koalicionit”- thotë ai.

Një ekspert i përshkruan dokumentat si ‘raporte nga terreni’ – informacion i papërpunuar, i paverifikuar, i mbledhur nga trupat dhe komandantët e tyre që luftojnë në Afganistan.

Themeluesi i WikiLeaks Julian Assange i doli në mbrojtje publikimit të informacionit duke thënë se ofron të dhëna mbi krimet që mund të jenë kryer:

“Pjesa më e madhe e viktimave fatale janë nga përleshjet e vogla të përditshme dhe jo fushata madhore ushtarake. Por ka gjithashtu edhe informata që përfshijnë shifra të larta viktimash”.

Shtëpia e Bardhë nuk e ka vënë në pikëpyetje vërtetësinë e informacionit. Por zëdhënësi Robert Gibbs dënoi publikimin e këtyre të dhënave, si një akt ‘i papërgjegjshëm’ që minon sigurinë e forcave të koalicionit:

“Nuk mendoj se e vë njeri në dyshim se ky akt është një element shqetësues në sigurinë e operacioneve. Siç e thamë më parë, përbën një kërcënim real për ata që punojnë çdo ditë për të garantuar sigurinë tonë”.

Njoftohet se Presidenti afgan Hamid Karzai ka shprehur shok nga publikimi i një vëllimi kaq të madh dokumentash. Por zëdhënësi i tij Waheed Omer thotë se ky nuk është informacion i ri:

“Reagimi i parë i presidentit ishte se pjesa më e madhe e informacionit nuk ishte diçka e re, pra pjesa më e madhe ishte diskutuar më parë në bisedat tona me partnerët ndërkombëtarë. Kjo do të ndihmojë për një ndërgjegjësim më të gjerë”.

Zyrtarë të qeverisë pakistaneze i kanë hedhur poshtë pretendimet se shërbimet e tyre të zbulimit po ndihmojnë kryengritësit afganë, duke thënë se dokumentat nuk pasqyrojnë realitetin aktual.

Publikimi i dokumentave është një ndër zbulimet më të mëdha të informacioneve sekrete në historinë e ushtrisë amerikane dhe ndodhi në një kohë delikate për administratën Obama, ndërkohë kur amerikanët po shfaqin deziluzion në rritje për koston në njerëz dhe fonde të luftës 9-vjeçare në Afganistan.


XS
SM
MD
LG