Lidhje

Presidenti Obama: Negociata pa kërcënime

  • Dan Robinson

Presidenti amerikan Barak Obama tha se ai është i hapur për bisedime rreth buxhetit dhe për arritjen e një marrëveshje afatshkurtër për rritjen e tavanit të borxhit. Por ai tha se nuk do të bisedojë përsa kohë që republikanët mbajnë mbi popullin amerikanë kërcënimin e mbylljes së qeverisë.

Presidenti Obama foli dje para gazetarëve pas një bisede telefonike që zhvilloi me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, republikanin John Boehner për t’i përsëritur një ofertë për të negociuar, por jo përsa kohë që mbyllja e pjesshme e qeverisë vazhdon dhe nën kërcënimin për një dështim financiar.
Ai tha se i kupton vështirësitë e bashkëpunimit në një qeveri të ndarë dhe mbetet i gatshëm për të punuar mbi një varg çështjesh dhe të negociojë për çdo çështje.

Por ai tha se nuk do të vazhdonte një model në të cilën ligjvënësit i mbajnë "peng" amerikanët dhe ekonominë në shkëmbim të disa kërkesave të tyre specifike.

"Ne nuk do të paguajmë haraç në shkëmbim të përmbushjes së detyrimeve financiare të Amerikës. Kjo është diçka që duhet të jetë e panegociueshme, dhe të gjithë duhet të bien dakord për këtë. Të gjithë duhet të thonë se një nga gjërat më të vlefshme që ne kemi është vlera kreditore e Amerikës. Kjo nuk është diçka me të cilën mund të luhet. "

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner dje përsëriti apelin e tij për negociata mbi kërkesat republikane të cilat përfshijnë eliminimin ose shtyerjen e disa pjesëve kryesore të ligjit të sigurimeve shëndetësore të presidentit Obama, i cili hyri në fuqi më 1 tetor .

Zoti Boehner tha se asgjë nuk duhet të përjashtohet nga negociatat. Por në reagimin e tij ndaj komenteve të presidentit Obama, ligjvënësi republikan sugjeroi se presidenti nuk është duke ofruar hapësirë për kompromis.

"Ajo që tha presidenti sot është se në qoftë se ka një dorëzim të pakushtëzuar nga republikanët, ai do të ulet dhe do të flasë me ne. "

Ligjvënësi demokrat Xavier Becerra akuzoi republikanët se po injorojnë sondazhet të cilat tregojnë se amerikanët po humbasin durimin me taktikat e republikanëve.

"Ne duhet të flasim për forcimin e ekonomisë dhe ndërtimin e një klase të mesme të fortë. Në vend të kësaj, ne jemi duke u përpjekur të kuptojmë se pse republikanët nuk po lejojnë një votim mbi rihapjen e qeverisë sonë."


Ndërkohë që afati i 17 tetorit po afrohet dhe Kongresi duhet të votojë për rritjen e tavanit të borxhit, ngërçi është duke nxitur spekulime të reja se ka ardhur koha për zhvillimin e bisedimeve për një "Marrëveshje të Madhe" për deficitin.

Mitch McConnell është udhëheqës i republikanëve në Senat.

"Ky nuk është viti 2009 apo 2010, kur miqtë tanë në anën tjetër kishin nën kontroll të plotë gjithë qeverinë. Tani kemi një qeveri të ndarë që do të thotë se ne duhet të flasim me njëri-tjetrin për të sjellë rezultate."

Presidenti Obama reagoi me skepticizëm ndaj një propozimi të Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët për ngritjen e një “grupi pune” të përbërë nga përfaëqësues të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve për pakësimin e mëtejshëm të deficitit, të bazuar në modelin e të ashtuquajturit "superkomision" që ishte krijuar në vitin 2011.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG