Lidhje

Ndikimi i debateve presidenciale në SHBA


Debatet mes kandidatëve presidencialë shërbejnë si “fazë finale” në garën për Shtëpinë e Bardhë

Një ditë pas fushatës në shtetin e Ohajos, presidenti Barack Obama dhe sfiduesi republikan Mitt Romney shkëmbyen akuza për politikat ekonomike gjatë fjalimeve të së enjtes së dy tubime të fushatës së tyre në Virxhinia.

Ndërkohë ka mbetur më pak se një javë nga debati i parë Obama-Romney. Debatet mes kandidatëve presidencialë të emëruar prej partive politike kryesore janë bërë një ngjarje e përhershme para-zgjedhore në Shtetet e Bashkuara.

Deri në tetor, secili kandidat për president i partive të mëdha ka siguruar shumë përkrahës. Por ka ende njerëz të pavendosur që duhen bindur, vota e të cilëve mund të vendosë zgjedhjet. Debatet mes kandidatëve presidencialë - zakonisht zhvillohen tre të tilla - dhe një për pretendentët për nënpresident - shërbejnë si “fazë finale”, në garën për Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë pjesës më të madhe të fushatës, kandidatët paraqesin qëndrimet e tyre në mesazhe të shkurtra, të përshtatshme për transmetim në televizion. Por, shumë votues, para se të hedhin votën e tyre, duan që konkurrentët për Shtëpinë e Bardhë të japin më shumë detaje rreth çështjeve kryesore. Debatet kanë si qëllim të ofrojnë këtë mundësi, thotë profesori i Universitetit Georgetown, Mark Rom.

"Ky është një rast për ta të tregojnë vizionin e tyre, të bisedojnë për qëllimet, ëndrrat, shpresat e tyre për popullin amerikan. Dhe, për t’i treguar popullit amerikan se si do t’i përmbushin këto ëndrra."


Edhe pse këto përballje të kandidatëve quhen debate, mënyra se si organizohen i ngjan më tepër një interviste. Profesoresha e Universitetit Amerikan, Candice Nelson, i bën një përshkrim.


"Dy nga tre debatet presidenciale dhe debati i kandidatëve për zv/President, do të kenë nga një intervistues të vetëm, që do t’i paraqesë pyetje secilit prej kandidatëve. Kandidati kundërshtar do të ketë mundësi të reagojë ndaj asaj që thotë gjatë përgjigjes kandidati të cilit i shtrohet pyetja. Prania e një drejtuesi është menduar si një mënyrë për të kontrolluar debatin, duke u siguruar që pyetjet të përgjigjen me korrektësi."

Dy debatet me intervistues janë të ndarë në çështje të politikës së brendshme dhe të jashtme. I treti organizohet si një debat në sallë, ku qytetarët mund të bëjnë pyetje nga çdo kategori.

Debatet televizive kanë qenë pjesë e të gjitha zgjedhjeve presidenciale që nga viti 1976, por ato u zhvilluan edhe në vitin 1960, kur u përballën senatori demokrat Xhon Kenedi dhe zv/Presidenti republikan, Richard Nixon.

Një nga kandidatët që kanë shfrytëzuar debatet më së miri ishte republikani Ronald Reagan. Në vitin 1980, ai shtroi një pyetje që disa thonë se e ndihmoi të mposhte presidentit në detyrë, demokratin Xhimi Karter.


"Unë mendoj se kur të merrni vendimin tuaj, do të ishte mirë nëse pyesni veten: “A jemi sot më mirë se sa katër vjet më parë?’"

Këto debate mund të jetë gjithashtu skenë gabimesh për kandidatët. Në debatin e tij kundër demokratit Jimmy Carter, në vitin 1976, në kulmin e Luftës së Ftohtë, Presidenti republikan në detyrë Gerald Ford bëri një deklaratë tepër të gabuar.


"Nuk ka asnjë dominim sovjetik në Evropën Lindore, dhe nuk do të ketë kurrë, nën një administratë Ford".

Zotin Ford e tallën për atë deklaratë. Ekspertët thonë se ajo ndikoi në humbjen e tij ndaj kundërshtarit Jimmy Carter.

XS
SM
MD
LG