Lidhje

SHBA: Debati i parë zyrtar për zgjedhjet e ardhshme presidenciale


SHBA: Debati i parë zyrtar për zgjedhjet e ardhshme presidenciale
SHBA: Debati i parë zyrtar për zgjedhjet e ardhshme presidenciale

Shtatë përfaqësues republikanë kërkojnë të fitojnë kandidaturën e partisë së tyre për t’u përballur me presidentin Barak Obama në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Ata shfaqën mendimet e tyre në debatin e parë të madh të fushatës për zgjedhjet e ardhshme i cili nisi mbrëmë në shtetin Nju Hampshër.

Kandidatët republikanë kritikuan menaxhimin e situatës ekonomike nga presidenti Obama në debatin e djeshëm të Mançesterit në Nju Hampshër, dhe u përqëndruan gjerësisht në planet e tyre për shkurtuar taksat dhe për të zvogëluar qeverinë si mënyrë për të ringjallur rritjen ekonomike.

“Nuk e krijoi presidenti Obama recesionin, por ai e përkeqësoi dhe e zgjati atë, dhe tani ne si asnjëherë tjetër e kemi punësimin një problem kronik e aftagjatë, me 20 milionë njerëz pa punë, ose që punojnë pjesërisht e kanë nevojë për punë të stabilizuara. Kriza e tregut të shtëpive vazhdon dhe njerëzit po humbasin shtëpitë në nivel rekord. Ky presidenti ka dështuar.”

Në debat ishte dhe kandidati që shihet si kryesuesi i kandidatëve republikanë në këtë garë - ish guvernatori i shtetit Masaçusets, Mitt Romni. Gjithsesi, shumë republikanë e konsiderojnë atë shumë të moderuar në një parti që sa vjen e bëhet më konservatore:

“ Nuk ka dyshim; unë dua t’a deklaroj sonte, Presidenti Obama është president vetëm për një mandat”.

Një prej më të mirënjohurve mes 7 kandidatëve ishte dhe ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Njut Gingriç, gara e të cilit për Shtëpinë e Bardhë është rrezikuar nga dorëheqjet masive të javës së kaluar në stafin e fushatës së tij.

“E para duhen kontrolluar kufijtë. Ne mund t’i kërkojmë Gardës Kombëtare të shkojë në Irak, Kuvait, Afganistan, por do të ishte bërë më shumë për sigurinë e Amerikës nëse Garda Kombëtare do të ishte në kufijtë tanë”.

Shteti verilindor Nju Hampshër i mban zgjedhjet paraprake në fillim të vitit 2012, 9 muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme të cilat do të vendosin nëse zoti Obama, do të qëndrojë në postin e presidentin edhe për 4 vite të tjera apo jo.

XS
SM
MD
LG