Lidhje

SHBA: Shkurtimi i shpenzimeve, ngecja politike


Fillimi shkurtimit automatik të shpenzimeve qeveritare nuk e ka sjellë asnjë ndryshim në qendrimet e kundërta mes demokratëve dhe republikanëve për të ardhmen fiskale të Amerikës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mjakëll Brouman, na informon nga Uashingtoni.

Javën e kaluar kërcënimi për shkurtimet në shkallë të gjerë të shpenzimeve federale nuk i afruan aspak Presidentin Barak Obama dhe udhëheqësit republikanë të Kongresit për një marrëveshje për buxhetin. Tani, as edhe hyrja në fuqi e shkurtimit të shpenzimeve nuk duket se ka ndonjë ndikim në ngecjen kronike politike në Uashington.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Xhon Bejnër, po i përmbahet fort qendrimit të Partisë Republikane për të mos ngritur taksat për të shkurtuar deficitin buxhetor.

“Nuk mund të ngresh taksat për të zgjidhur problemin. Ne duhet të merremi me shpenzimet, pikërisht siç bën çdo familje amerikane”.

Zoti Bejnër foli në programin Meet the Press të kanalit televiziv NBC program, në një intervistë që u bë të premten pas takimit në Shtëpinë e Bardhë që nuk solli ndonjë përparimin mes presidentit dhe udhëheqësve të Kongresit. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve tha se republikanët nuk janë të verbër përballë pasojave të shkurtimit automatik të shpenzimeve, por janë të vendosur për shkurtimin e deficitit pasi demokratët po mbajnë një qendrim të papërgjegjshëm dhe pa kompromis.

“Jam i shqetësuar për pasojat e këtyre shkurtimeve në ekonomi dhe në ushtrinë tonë. Ne e kemi ditur këtë problem që para 16 muajsh, ne e prisnim që kjo të ndodhte. Ku ishte plani i presidentit? Përse demokratët nuk miratojnë diçka? Dhe ja ku jemi tani, në momentin e fundit, duke hapur sytë përballë njeri tjetrit, sepse nuk kemi vepruar”.

Demokratët këmbëngulin se ka një mënyrë më të mirë për shkurtimin e deficitit, balancimi i shkurtimit të shpenzimeve, reformat qeveritare dhe të ardhura më të larta. Senator Riçard Dërbin foli në programin Face the Nation të kanalit televiziv CBS.

“Nocioni për të hedhur gjithëçka në tavolinë, të ardhurat, shkurtimet e shpenzimeve, reformën e taksave. Nëse do ta kishim bërë këtë, do të kishim shmangur prodhimin e kësaj krize në të cilën jemi tani”.

Presidenti Obama ka paralajmëruar se shkurtimi i shpenzimeve do të rëndojë mbi popullin amerian. Administrata duket se mendon se indinjata e publikut do t’i detyrojë republikanët të zbusin qendrimin e tyre për mos ngritjen e taksave për të pasurit për të arritur një kompromis. Këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Xhin Sperling foli në programin This Week të kanalit televiziv ABC.

“Besoj se më shumë kolegë republikanë që janë të shqetësuar për dëmin që u vjen zgjedhësve të tyre do të zgjedhin rrugën e kompromisit partiak lidhur me të ardhurat. Ata do të zgjedhin rrugën e kompromisit mbi qendrimin ideologjik që çdo kursim për uljen e deficitit të mos bjerë mbi shtresën e mesme, pensionistët dhe fëmijët tanë”.

Anketat tregojnë se Amerikanët fajsojnë më shumë republikanët se sa demokratët për bllokimin fiskal.

Shkurtimet automatike të shpenzimeve kanë të bëjnë me buxhetin dhe jo me mbylljen e qeverisë, por shërbimet federale do të vazhfojnë të reduktuara. Mbetet për t’u parë se cilat do të jenë pasojat dhe çfarë reagimi do të shkaktojnë ato.
XS
SM
MD
LG