Lidhje

Dënimi me vdekje në SHBA


Problemet gjatë ekzekutimit me inxheksion të një të dënuari me vdekje në shtetin e Oklahomës kohët e fundit, bëri që të pezullohen ekzekutimet në atë shtet derisa të përfundojnë hetimet. Po ashtu Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ka vendosur rregulla më të forta për kontrollet mjekësore për sëmundje mendore, të pacientëve të dënuar me vdekje. Mbështetja për dënimin me vdekje mbetet e lartë në Shtetet e Bashkuara, por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Greg Flakus nga Hjustoni, kundërshtimi ndaj tij po rritet:

Anketat e kohëve të fundit nga firmat Gallup dhe Qendra Kërkimore “Pew”, tregojnë se mbështetja për dënimin me vdekje në Shtetet e Bashkuara ka rënë me rreth 20 për qind gjatë dy dekadave të fundit. Anketa e qendrës Pew tregon një rënie prej 10 për qindsh, në dy vitet e fundit, mes atyre që janë përkrahësit më të forte të dënimit me vdekje.

Por i njëjti anketim tregon se dënimi me vdekje vazhdon të gëzojë një mbështetje të fortë, nga rreth 60 për qind të popullsisë. Anketa të tjera, të zhvilluara pas sulmeve terroriste, apo vrasjeve masive me armë, flasin për mbështetje edhe më të madhe për dënimin me vdekje. Organizata anketuese “Angus Reid”, arriti në përfundimin se 78 për qind e amerikanëve e mbështetën dënimin me vdekje menjëherë pas shpërthimeve me bombë në maratonën e Bostonit.

Kundërshtarët e dënimit me vdekje thonë se kjo lidhet me një dëshirë për t’u hakmarrë për shkak të zemërimit, por Dudley Sharp, mbrojtës i pavarur i dënimit me vdekje me bazë në Houston, thotë se ajo që kërkojnë përkrahësit, është thjesht ndëshkimi.

"Ndëshkimi do të thotë një sanksion i ligjshëm dhe proporcional ndaj një krimi të kryer, ndryshe nga hakmarrja, ndaj së cilës nuk mund të aplikohet ligjshmëria, proporcionimi, faji, apo pafajësia.”

Kundërshtarët citojnë studimet që tregojnë se ritmi i vrasjeve është ndikuar nga dënimi me vdekje, ngaqë shumica e vrasjeve nuk janë të paramenduara. Por Dudley Sharp thotë se perspektiva e vdekjes është e tmerrshme.

"Është e pamundur të provohet se dënimi me vdekje nuk është diçka e tmerrshme, për arsyen e thjeshtë se të gjitha perspektivat për një pasojë negative, shkaktojnë tmerr në pjesën më të madhe të njerëzve. Në asnjë studim nuk thuhet që askush nuk frikësohet nga dënimi me vdekje dhe në fakt ne kemi 28 studime që nga viti 1999, sipas të cilave, dënimi me vdekje i duket i tmerrshëm njerëzve.”

Një nga arsyet kryesore që njerëzit citojnë kur kundërshtojnë dënimin me vdekje është lirimi nga akuzat i rreth 140 personave, të cilët ishin në listën e të dënuarve me vdekje. Një studim statistikor i Akademisë Kombëtare të Shkencave i publikuar muajin e kaluar, tregonte se një në çdo 25 persona të dënuar me vdekje në Shtetet e Bashkuara, mund të jenë të pafajshëm.

Aktivistja Kathy Spillman e organizatës “Witness to Innocence”, e cila e kundërshton dënimin me vdekje, thotë se sa më tepër që njerëzit të mësojnë për të metat e sistemit gjyqësor, aq më keq ndjehen ata në një shtet ku njerëzit ekzekutohen.

“Edhe ata që e mbështesin dënimin me vdekje, nuk do të donin që një i pafajshëm të ekzekutohej vetëm për të mbrojtur një institucion që nuk funksionon siç duhet.”

Gjykata e Lartë kohët e fundit vendosi që shtetet duhet të përmirësojnë kontrollet mjekësore të të burgosurve të dënuar me vdekje, që ata të mos jenë të paaftë mendërisht. Zonja Spillman thotë se kjo mund të shpëtojë shumë njerëz të dënuar me vdekje.

"Mendoj se një numër i madh të burgosurish në përgjithësi, por në në veçanti ata në pritje të ekzekutimit, kanë probleme të konsiderueshme mendore, si dhe mangësi intelektuale. Kjo është edhe një nga arsyet që ata përfundojnë tek dënimi me vdekje.”

Disa shtete amerikane që më parë e kishin dënimin me vdekje, tani ose e kanë pezulluar, ose e kanë hequr atë fare. Në 32 shtete që vazhdojnë ta kenë dënimin me vdekje, disa juri kanë treguar hezitim për të shpallur fajtorë personat e akuzuar për vrasje, në se ata dinë se ndaj tyre mund të jepet dënimi me vdekje.

Publiku po ashtu u shqetësua nga dështimi i ekzekutimit në Oklahoma, gjatë të cilit inxheksioni intravenoz doli nga krahu i të burgosurit, ndërsa po i injektohej helmi në trup.

Disa kompani që prodhojnë kimikate të cilat mund të përdoren për inxheksionin vdekjeprurës, tani janë duke refuzuar t’ua shesin ato shteteve që zbatojnë dënimin me vdekje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG