Lidhje

SHBA: Dënimet e detyruara minimimale në luftën kundër drogës

  • Jeff Swicord

Prokurorët federalë i quajnë dënimet e detyruara minimale si një prej mjeteve të tyre më të mira në luftën kundër drogave. Zakonisht këto dënime shoqërohen me burgim prej disa vjetësh varësisht sasisë dhe llojit të drogave. Kritikët argumentojnë se dënime të tilla zhveshin gjykatësit nga kompetencat e tyre dhe janë shkak i shtimit të numrit të të burgosurve në Shtetet e Bashkuara.

Në prill të vitit 1998, binjakët Lawrence dhe Lamont Garrison ishin në prag të përfundimit të studimeve në Universitetin Howard në Uashington. Që të dy punonin në Departamentin amerikan të Drejtësisë dhe kishin në plan të vazhdonin studimet për drejtësi. Papritmas ata morrën një lajm shumë të keq.

Personi që kishte riparuar makinën e tyre para një viti ishte paditur për shpërndarje drogash. Ai u tha agjentëve të rendit se vëllezërt Garrison ishin të përfshirë në rrjetin e drogave.

“Ata më pyetën dhe më treguan një fotografi të Tito Abeas. Më pyetën nëse e kisha parë këtë njeri, u thashë se ai kishte rregulluar makinën time'”.

Vëllezërit Garrison e gjetën veten në shkelje të ligjeve federale, në bazë të të cilëve kërkohen dënime minimale për trafik drogash, ligje këto që synojnë ta bëjnë më të lehtë ndjekjen penale të drejtuesve të grupeve të drogave.

Pronari i dyqanit të riparimit të makinave përballej me 10 vjet burg. E vetmja mënyrë për të ulur këtë dënim ishte implikimi i dikujt tjetër, vëllezërve Garrison.

Kritikët e dënimeve të detyruara minimale thonë se kjo është një praktikë e zakonshme në çështjet që kanë të bëjnë me drogat. Ata thonë gjithashtu se njerëzit e implikuar shpesh nuk kanë asnjë lidhje me krimin.

Lamont Garrisonit iu ofrua mundësia për të ulur dënimin.

“Prokurorët më thanë se kisha mundësi ta ndihmoja veten dhe kur i pyeta si do ta bëja këtë, ata më thanë se unë duhej të pranoja fajin dhe të jepja sa më shumë hollësi'”.

“Prokurorët e quajnë këtë praktikë mjetin më të mirë në arsenalin e tyre sepse ata i bëjnë presion të pandehurit, duke i thënë se ose do të na japësh më shumë informacion ose do të dënohesh me 5 ose 10 vjet burg”.

Por Konferenca amerikane e Drejtësisë i kundërshton dënimet e detyruara minimale sepse ato pengojnë gjykatësit të bëjnë punën e tyre.

Vëllezërit Garrison nuk u paditën kurrë për zotërim drogash, por vetëm për konspiracion, ndërkohë që nuk pranuan asnjëherë se kishin lidhje me drogat. Ata thonë se refuzuan të gënjenin dhe të shkatërronin jetën e ndonjë njeriu tjetër.

Një juri federale në Virxhinia i gjeti fajtorë vëllezërit në bazë të dëshmive të pronarit të dyqanit të riparimit të makinave dhe vëllait të tij. Prokurorët nuk paraqitën prova të tjera kundër tyre. Julie Stewart, presidente e organizatës Familjet kundër Dënimeve të Detyruara Minimale, thotë se reagimi i publikut ndaj dhunës së drogave në atë kohë luajti rol.

“Në atë kohë ekzistonte një ndjenjë e madhe kundër përdorimit të drogave. Mendoj se në atë kohë mund të ngrije akuza për implikim në droga kundër kujtdo dhe gjeheshin fajtorë”.

Lawrence bëri 12 vjet burg kurse vëllai i tij gati 14 vjet. Pronari i dyqanit të riparimit të makinave, që i implikoi ata u dënua me 18 muaj burg. Vëllezërit Garrison nuk janë më të interesuar të vazhdojnë studimet për drejtësi sepse ata thonë se sistemi është i korruptuar, ndërkohë që dënimet e detyruara minimale në bazë të ligjeve federale luajnë një rol të madh.

XS
SM
MD
LG