Lidhje

SHBA dhe alternativat ushtarake për Irakun


Shtetet e Bashkuara thonë se, tani për tani, po dërgojnë vetëm këshilltarë ushtarakë në Bagdad për të ndihmuar qeverinë e Irakut të frenojë përparimin e militantëve islamikë suni, të njohur si Shteti Islamik në Irak dhe Levant (Isil). Por forcat amerikane janë gati për të goditur, nëse marrin urdhër ta bëjnë këtë.

Presidenti Barak Obama i ka paralajmëruar ekstremistët e ISIL-it se për ta nuk do të ketë qetësi.

President Barak Obama
"Ne jemi të gatshëm të ndërmarrim veprime ushtarake preçize nëse këtë e kërkon situata në terren," tha Presidenti Obama.

Prej disa ditësh, SHBA po dislokojnë në rajon mjete ushtarake. Në bordin e anijes USS George Bush ka rreth 70 aeroplanë, si FA-18 dhe E-2C, të aftë për të ndihmuar në bashkërendimin e goditjeve.

Përveç kësaj, forcat ajrore amerikane thonë se kanë në gatishmëri 90 deri në 100 aeroplanë – ku përfshihen si bombardues ashtu edhe avionë pa pilot, gati për t'u nisur brenda disa orësh.

"Kjo është një situatë që kërkon përdorimin e forcës ajrore", thotë gjeneral-lejtnanti në pension David Deptula.

Nëse përdoren këta avionë, thotë ai, militantët e Isilit do ta kuptojnë se nuk mund të hyjnë dot në Bagdad.

"SHBA duhet të dërgojnë një numër të mjaftueshëm avionësh për të ndryshuar gjendjen në terren. Por thjesht edhe me një mbikqyrje nga ajri, situata mund të kontrollohet," sipas gjeneralit.

Kjo nuk do të thotë se përdorimi i fuqisë ajrore kundër Isil-it do të jetë i lehtë, u tha ligjvënësve të martën zyrtari më i lartë ushtarak amerikan, shefi i shtatmadhorisë, Martin Dempsey.

"Këto forca janë shumë të përziera si përbërje. T'i godasësh ato, nuk është aq e lehtë siç e shohim nëpër videot që qarkullojnë në iphone," tha gjenerali.

Pjesë e suksesit të Isil-it është aftësia e tij për t'u përzierë me popullsinë civile. Për t'i dalluar ata duhet ndihma e një ushtrie në terren, siç është ushtria e Irakut, thotë analisti Paul Floyd.

"Forcat irakiane të sigurisë do të duhet të fitojnë terren në tokë, për ta nxjerrë Isil-in jashtë popullsisë urbane, në zonat ku ata të mund të jenë të ekspozuar ndaj sulmeve," thotë analisti.

Tani për tani, SHBA duket se po mjaftohen me dërgimin e një numri në rritje avionësh me pilot dhe pa pilot mbi Irak, për të krijuar një ide sa më të saktë për forcat e Isil-it dhe për të goditur nëse kjo do të jetë e nevojshme.
XS
SM
MD
LG