Lidhje

SHBA dhe programi bërthamor i Koresë së Veriut

  • Richard Green

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zbulimit, James Clapper thotë se përpjekja e vazhdueshme për të bindur Korenë e Veriut të heqë dorë nga programi i saj i debatueshëm bërthamor është "ndoshta një kauzë e humbur". Zoti Clapper thotë se Pheniani e konsideron programin e tij bërthamor një “mjet mbijetese”.

James Clapper i bëri komentet dje në Nju Jork, gjatë një forumi të organizuar nga grupi jopartiak dhe i pavarur, Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë. Ai tha se udhëheqja e Koresë së Veriut e konsideron arsenalin e saj bërthamor si një "mjet mbijetese."

"Ata janë në kohë të vështira dhe shumë paranojak. Pra, ideja e heqjes dorë nga aftësitë e tyre bërthamore, çfarëdo që të jetë arsyeja, për ata është e dështuar. Ajo që ne mund të shpresojmë është ndoshta vendosja e një lloj kufizimi. Por ata nuk do ta bënin një veprim të tillë vetëm sepse ne do t’i kërkonim atë. Do të duhet të ketë nevojë për nxitje dhe trysni të mëdha".

Shtetet e Bashkuara dhe pesë vende të tjera, përfshirë Kinën, Rusinë, Japoninë dhe Korenë e Jugut, kanë shpenzuar disa vite duke bërë negociata me Korenë e Veriut mbi programin e saj bërthamor. Bisedimet ngecën pasi Pheniani u tërhoq në vitin 2009, tre vjet pas njoftimit për provën e tij të parë bërthamore.

Uashingtoni thotë se rifillimi i bisedimeve gjashtëpalëshe do të kërkonte angazhimin e qeverisë së Kim Jong-ut për të ndalur provat bërthamore dhe për të hequr dorë nga programi i saj për prodhimin e armëve bërthamore.

Pheniani ka hedhur poshtë propozimet e Perëndimit dhe vazhdon t’u rezistojë përpjekjeve të udhëheqësve botërorë për ta bindur atë që të respektojë rezolutat e OKB-së. Pheniani gjatë këtij viti ka bërë dy prova bërthamore nëntokësore dhe dhjetëra prova me raketa.

XS
SM
MD
LG