Lidhje

SHBA: Dita e Punës i gjen amerikanët me nivel të lartë papunësie


SHBA: Dita e Punës i gjen amerikanët me nivel të lartë papunësie
SHBA: Dita e Punës i gjen amerikanët me nivel të lartë papunësie

Një pjesë e amerikanëve e kanë pushim të hënën, që është Dita e Punës në Shtetet e Bashkuara. Fesimi i përvitshëm tradicionalisht shënon fundin e stinës së verës, por njëkohësisht është dita kur nderohet kontributi i punonjësve tek mirëqenia ekonomike dhe sociale e vendit. Por miliona amerikanë të papunë nuk po e festojnë Ditën e Punës këtë vit si zakonisht.

Në paradat që zhvillohen Ditën e Punës amerikanët kanë rastin të shijojnë edhe një here ditët e fundit të verës dhe të vlerësojnë kontributin e punëtorëve.

Por këtë herë, në mendjen e tyre janë kohët e vështira ekonomike.

Gary Burtless është ekonomist në Institutin Brookings.

"Gjatë 12 vjetëve të fundit punonjësi mesatar nuk e ka patur të lehtë jetesën", thotë Burtless.

Rreth 25 milionë amerikanë, ose e kanë të vështirë të gjejnë punë, ose bëjnë punë që nuk i përkasin kualifikimit të tyre.

Studjuesi Burtless thotë se edhe ata që kanë punë, përpiqen së tepërmi të ruajnë arritjet e realizuara me vështirësi.

"Një ndryshim i madh edhe me situatën e 5 vjetëve më parë, është dobësimi së tepërmi i sindikatave të punonjësve në SHBA."

Sindikatat dikur përfaqësonin më tepër se një të tretën e të gjithë punonjësve amerikanë. Por pasi numri i anëtarëve ka rënë ndjeshëm për disa dekada me radhë, dhe për shkak të përpjekjeve kohët e fundit nga disa shtete për t’ua hequr të drejtën e negocimit për kontratat e punës sindikatave, grupet e sindikatave tani përfaqësojnë vetëm 12 për qind të punonjësve amerikanë.

Sindikata më e madhe vendit po kundërpërgjigjet. Presidenti i AFL-CIO-s Richard Trumka e quan atë pjesë të një sulmi të orkestruar nga republikanët për të dobësuar grupet e punonjësve.

"Ne nuk durojmë kur ata thonë se vitet më të mira të Amerikës kanë kaluar, se ne nuk mund t’u japim qytetarëve tanë një punë të mirë, shërbim shëndetësor, mundësinë për të patur një pension të sigurtë dhe se duhet të tërhiqemi nga ëndërra amerikane, pikërisht këtu, në vendin më të pasur të botës. Ne nuk mund ta pranojmë dot këtë."

Por në fakt miliona amerikanëve duket se po u rrëshqet nga dora kjo ëndërr. 46-vjeçarja Leann Bosquez, e cila i rrit vetëm fëmijët e saj, nuk ka qenë kurrë e papunë për një kohë kaq të gjatë. Por për 5 muajt e fundit, ish-menaxherja e marketingut është detyruar të gjejë mbështetje tek familja e saj.

"Unë jam me fat që kam një familje që më mbështet shumë me ndihma financiare. Kjo është hera e pare në jetën time që kërkoj ndihmë dhe megjithëse ata janë të gatshëm të më ndihmojnë, nuk ndjehem aspak mirë."

Por disa thonë se Lean dhe të tjerë janë viktima të ndryshimeve të mëdha globale. Vincent Reinhart i Institutit amerikan “Enterprise” thotë se globalizimi ka sjellë shumë ndryshime dhe amerikanët duhet të përshtaten në këtë mjedis të ri.

"Globalizimi i ekonomisë sjell me vete edhe të këqia, disa nga pagat mesatare ulen, për shkak se një sërë mallrash dhe shërbimesh mund të prodhohen gjetkë. Dhe në se sindikatat i qëndrojnë modelit të vjetër, ku e gjithë lufta bëhet për pagat reale, kjo do të sjellë pakësimin e numrit të anëtarëve, ngaqë vendet e punës do të eksportohen në vende të tjera."

Ekonomistët thonë se ekonomia amerikane nuk po rritet me shpejtësinë e duhur për të zëvendësuar më tepër se 8 milionë vendet e punës që janë shkurtuar që nga koha e Depresionit të Madh. Por mbështetësi i sindikatave, Steve Soule, ka besimin se amerikanët do të vazhdojnë të jenë këmbëngulës.

"Unë mendoj se ne amerikanët jemi të guximshëm, edhe pse ndodhemi në një periudhë rënieje ekonomike të përkohëshme. Unë jam optimist lidhur me aftësinë e punonjësve amerikanë për të qenë të parët në botë, në të gjitha fushat që kanë të bëjnë me punën, ashtu sikurse në të kaluarën."

Në kushtet kur ka rënë ndjeshëm mbështetja në anketat e opinionit publik për shkak të papunësisë dhe ekonomisë së dëbësuar, presidenti Obama shpreson t’i rikthejë optimizmin amerikanëve me fjalimin që ai do të mbajë më 8 shtator, ku do të flasë mbi një nismë të rëndësishme për krijimin e vendeve të reja të punës.

Por në kushtet kur ka mbetur vetëm pak më tepër se një vit nga zgjedhjet presidenciale, disa thonë se mund të jetë tepër e vështirë të arrihet marrëveshja politike në Kongres, ashtu sikurse edhe gjetja e një pune të paguar mirë.

XS
SM
MD
LG