Lidhje

Presidenti Obama, përshëndetje për Ditën e Punës


Presidenti Obama ka shkruar një letër të hapur në adresë të punëtorëve amerikanë me rastin e Ditës së Punës, që festohet sot në Shtetet e Bashkuara. “Kur punotorët ngrenë zërin për rroga të drejta dhe dinjitet në vendin e punës, ata mbajnë gjallë historinë e Amerikës”, thotë presidenti në letër.

Dita e Punës u bë festë zyrtare në 1894 dhe është bërë traditë të festohet të hënën e parë të muajit shtator.

“Në fillim të shekullit të kaluar, punëtorët amerikanë u bashkuan për të luftuar për dinjitet dhe drejtësi në vendin e punës,” shprehet zoti Obama. “Ata u ngritën, marshuan dhe bënë thirrje për kufizimin e javës së punës në 40 orë, për pagesë shtesë për punën e bërë përtej orarit të rregullt, për pagën minimale, të drejtën për t’u organizuar dhe për përfitime të tjera të ofruara nga vendi i punës. Këto fitore të siguruara me mund u bënë themeli i klasës më të madhe të mesme që ka njohur ndonjëherë bota”.

Presidenti tha se po të kërkonte punë sot, puna do t’i jepte mundësi “për të pasur siguri financiare për familjen dhe të drejtën për t’u antarësuar në sindikatë”.

“Historia ka treguar se familjet punëtore kanë një shans për një jetë të drejtë në këtë vend, por me kusht që të kenë vullnetin për t’u organizuar dhe për ta kërkuar këtë mundësi. Për këtë arsye e fillova karrierën si organizator vite më parë,” thotë presidenti.

Antarësimi në sindikatat amerikane ka rënë gjatë 30 vjetëve të fundit, por përfitimet që kërkuan sindikatat dekada më parë janë tani një praktikë e rregullt në pjesën më të madhe të vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara, ndër to: punë për pesë ditë në javë, me dy ditë pushim në fundjavë, sigurime shëndetësore dhe pushime të paguara nga punëdhënësi.

Sindikatat përfaqësojnë jo vetëm punëtorët, por edhe specialistë që punojnë në agjenci qeveritare në nivel shteti apo federal.

XS
SM
MD
LG