Lidhje

SHBA: E djathta fetare në garën presidenciale të 2012s


SHBA: E djathta fetare në garën presidenciale të 2012s
SHBA: E djathta fetare në garën presidenciale të 2012s

Në Shtetet e Bashkuara, të krishterët konservatorë, e ashtuquajtura “E djathtë fetare” kanë ndikuar në zgjedhjet presidenciale gjatë dy dekadave të fundit. Por ndikimi i tyre nuk ka qenë aq i qartë sa ç’ishte në zgjedhjet e 2008-s të Presidentit Barak Obama, kandidati që ata e kundërshtuan. Një grup i ri lobist po përpiqet të ringjallë ndikimin e tyre për të ndihmuar Partinë Republikane në zgjedhjet e 2012-s.

Debra Kohl përshkoi me makinë gjysmën e vendit për të marrë pjesë në takimin e kohëve të fundit në Uashington të Koalicionit për Besimin dhe Lirinë. Ajo nuk mund ta imagjinojë se pse feja të mos jetë zgjidhje për problemet e Amerikës.

"Kur hap sytë e shikon se çfarë po ndodh në vendin tonë, në kulturën tonë, në shoqërinë tonë, në familjet dhe me fëmijët tanë, të mos kesh fe është keq. Gjërat janë keq, por unë shpresoj në një Zot që jeton”.

Ajo dhe shumë të tjerë kanë të paktën një shpresë të përbashkët, se Presidenti Barak Obama nuk do të zgjidhet vitin e ardhshëm.

Presidenti i Koalicionit të Besimit dhe Lirisë, Ralf Rid thotë se apatia mes votuesve të krishterë konservatorë ndihmoi në fitoren e zotit Obama në zgjedhjet e fundit presidenciale.

"Sepse në vitin 2008, dhe këto janë statistika të frikshme, 17 milionë të krishterë evangjelistë ose nuk ishin regjistruar fare për të votuar, por edhe kur ishin regjistruar nuk shkuan në qendrat e votimit”.

Rid kishte kryesuar dikur Koalicionin e Krishterë që mobilizoi konservatorët fetarë në mbështetje të Partisë Republikane në vitet 1990-të.

Më pas fati i tij politik u prek rëndë për shkak të lidhjeve të tij me skandalin e lobistit të Uashingtonit, Xhek Abramof. Por Rid është kthyer përsëri në një forcë në Uashington. Pothuajse çdo kandidat presidencial republikan për zgjedhjet e 2012-tës mbajti fjalim në takimin e organizuar prej tij.

"Bashkohuni me mua për lutjen në emër të vendit tonë”.

Mishellë Bakman është kandidate e preferuar e lëvizjes Tea Party. Mesazhi i saj kundër taksave dhe për një qeveri të kufizuar ndryshoi pejsazhin politik amerikan në zgjedhjet e mesmandatit presidencial. Shumë konservatorë të krishterë janë dakord me këtë mesazh.

Por jo klerikia presbiteriane Jenifër Batler, e cila thotë se Krishti do të kundërshtonte shkurtimin e programeve qeveritare për të varfërit. Atë e shqetëson bashkimi i fuqisë elektorale të konservatorëve të krishterë dhe lëvizjes Tea Party.

"Ajo që po ndodh është se operativët politikë si Ralf Rid po përpiqen të ndërthurin dy axhenda, sepse e djathta e krishterë në vend është shumë e fortë”.

E djathta fetare ka mbrojtur tradicionalisht vlerat sociale, si ato të raport me abortin dhe martesën e homoseksualëve.

Por Majkëll Kromarti i qendrës së etikës konservatore dhe politikave publike thotë se këto nuk do të jenë çështje kryesore në vitin 2012.

"Mendoj se ato nuk do të jenë tema qendrore për shkak të stadit tonë të tanishëm. Ne jemi në gjendje emergjence. Fushata do të përqendrohet në dy tema, ekonomia dhe gjendja e luftës kundër terrorit”.

Kromarti thotë se këto çëshje do ta bënin më të lehtë për të krishterët konservatorë që të votonin për kanditatë si mormonët Mit Romni and Jon Hantsman, të cilët disa evangjelistë nuk i konsiderojnë të krishterë, s si dhe për Njut Gingiçin, i cili ka pranuar se ka patur marrëdhënie jashtëmartesore.

XS
SM
MD
LG