Lidhje

SHBA e gatshme për bisedime të reja me Iranin mbi uraniumin

  • Dejvid Gollast

SHBA e gatshme për bisedime të reja me Iranin mbi uraniumin

SHBA e gatshme për bisedime të reja me Iranin mbi uraniumin

Administrata e Presidentit Obama bëri dje të ditur se është e “interesuar” për bisedime të reja tripalëshe me Iranin muajin e ardhshëm për programin e tij bërthamor në përgjigje të shqetësimeve për synimet bërthamore të Iranit. Ndërkaq, Departamenti amerikan i Thesarit ka vënë në listën e zezë dhjetra “kompani kryesore” iraniane që veprojnë në Evropë dhe që mendohet se mbështesin përpjekjet për armë bërthamore të vendit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, David Gollast na informon nga Departamenti i Shtetit.

Departamenti i Shtetit thotë se zyrtarët amerikanë janë gati të angazhohen në raundin e ri të bisedimeve me Irnain për çështjen bërthamore nga mesi i nëntorit dhe se Teherani ka lënë të kuptohet se do të marrë pjesë.

Në bisedimet e caktuara paraprakisht për 16 dhe 17 nëntor në Vjenë do të marrin pjesë diplomatë nga Irani dhe gjashtë fuqitë kryesore të botës.

Ata do të shqyrtojnë mundësitë për t’iu kthyer një propozimi të bërë vitin e kaluar, sipas të cilit Irani do të dërgojnë jashtë vendit uraniumin e tij të pasuruar në shkëmbim për karburantin bërthamor që i duhet një reaktori kërkimesh të Teheranit.

Fillimisht Irani e pranoi propozimin e pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermanisë në nëntor të vitit të kaluar, por më pas u tërhoq.

Në maj të këtij viti, Irani tha se ishte gati të pranonte një variant për shkëmbimin e uraniumit të pasuruar me karburantin bërthamor që i nevoitet, të propozuar nga Turqia dhe Brazili.

I pyetur dje për një artikull të gazetës Wall Street Journal se Shtetet e Bashkuara po “nxitin bisedimet për riaktivizimin” e reaktorit bërthamor të Teheranit, zëdhënësi i Departamentit të P.J. Krouli tha se idea ka vlerë si hyrje për negociata më të gjerë për programin bërthamor të Iranit.

"Ne ende mendojmë se koncepti ka vlerë, prandja se do të ishim të intereruar ta trajtonim atë me Iranin, nëse Irani është i interesuar. Në të njejtën kohë, për sa i përket reaktorit bërthamor të Teheranit, është me rëndësi që propozimi të rishikohet për t’iu përshtatur kushteve të sotme në mënyrë që të pasqyrojë aktivitetin e pasurimit të uraniumit në Iran gjatë vitit të kaluar. Por kjo është diçka që ka mundësi që ne ta trajtojmë me Iranin në të ashtuquajturin Grupi i Vjenës”.

Në këtë grup bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Rusia, Franca dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Zoti Krouli tha se shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian Kethrin Ashton ka propozuar mbajtjen e takimit në Vjenë me Iranin në mes të nëntorit dhe se Irani megjithëse ka treguar shenja interesi, nuk ka dhënë ende përgjegje pozitive zyrtare.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se nëse Irani e pranon propozimin dhe kthehet në bisedime për herë të parë gjatë një viti, delegati amerikan do të jetë nënsekretari i Shtetit për çështjet politike, Uilliam Burns.

Pothuajse në të njejtën kohë me komentet e bëra në Departamentin e Shtetit për këtë çështje, Departameni i Thesarit njoftoi zgjerimin e sanksioneve amerikane kundër entiteteve iraniane dhe individëve që mendohet se mbështesin përpjekjet e Teheranit për prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë.

Zyrtarët e Thesarit thanë se 37 kompanive iraniane me aktivitet në Gjermani, Maltë dhe Qipro, si dhe pesë biznesmenëve iranianë të lidhur me to, do t’u bllokohen pasuritë që mund të kenë në Shtetet e Bashkuara dhe mund t’u ndalohet aktiviteti me kompanitë amerikane.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Krouli tha se zgjerimi i sanksioneve të Kombeve të Bashkuara dhe i Shteteve të Bashkuara po “i tërheq vemendjen Iranit”, por mbetet për t’u parë nëse ato do ta bindin Teheranin të veprojë “në interesin e tij më të mirë” dhe të kthehet në negociatat bërthamore.

Irani thotë se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore. Por zoti Krouli tha se zbulimi i objekteve bërthamore sekrete të Iranit pranë qytetit Kom dhe gjetkë ngre dyshime rreth qëllimeve të Teheranit.

XS
SM
MD
LG