Lidhje

SHBA: Rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike


Kur bie mbrëmja çdo natë mbi Shtetet e Bashkuara, miliona drita vezullojnë nëpër qytete në mbarë vendin. Por këto momente të qeta, realizohen vetëm përmes një balancimi të kujdesshëm të energjisë, që nuk shihet dot me sy. Ndoshta askush nuk mban aq përgjegjësi për të ruajtur këtë balancë, sa firma e interkonjeksionit “PJM”. Kjo kompani private menaxhon energjinë elektrike për 60 milionë klientë në 13 shtete amerikane. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Rebecca Widis vizitoi kompaninë PJM në Pensilvania dhe përgatiti kronikën në vazhdim.

Kompania PJM është si një punonjës trafiku për sistemin elektrik të rajonit. Çdo ditë ajo bashkërendon punën e 1 mijë e 600 termocentraleve e zonës që ato të shfrytëzojnë në mënyrë të barabartë dhe të efektshme një rrjet linjash transmetimi prej 100 mijë kilometrash. Për realizimin e kësaj, firma PJM menaxhon tregun e energjisë elektrike, ku termocentralet deklarojnë çmimin më të ulët me të cilin do të prodhojnë energji elektrike për ditën e ardhshme. Bazuar mbi këto çmime dhe mbi kërkesat përherë në ndryshim, PJM udhëzon secilën prej termocentraleve se kur duhet të hapin, apo mbyllin prodhimin e energjisë elektrike.

“Këtu jemi në dy nga dhomat e kontrollit të energjisë. Ato kanë personel 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Në se njëra nga dhomat e kontrollit nuk funksionon, tjetra fillon të operojë menjëherë.”

Mike Bryson është drejtor për operacionet e kompanisë PJM. Ai drejton dy qendrat e komandimit të kompanisë. Secila nga dhomat nën tokë dhe pa dritare ka nga 10 tavolina pune, një flamur amerikan dhe një ekran 20 metrash, të mbushur me të dhënat që ndryshojnë vazhdimisht. Në qendër të ekranit është një hartë shumëngjyrëshe.

“Ky ekran tregon sistemin elektrik, me gjeneratorët, drejtimin e energjisë në të gjitha linjat; pikat e kuqe tregojnë se ku janë gjeneratorët. Kur drita është e kuqe, ato janë duke punuar, kur drita është e gjelbërt, ato janë të fikura.”

Ditët e nxehta të verës mund të jenë më të vështirat për t’u menaxhuar. Në kushtet kur punojnë miliona kondicionerë dhe rritet kërkesa për energji elektrike, kompania PJM nganjëherë u ofron prodhuesve të energjisë një çmim 50 herë më të lartë se sa në ditë normale.

Planifikimi ka një rëndësi të veçantë në epokën tonë dixhitale, thotë Terry Boston, drejtor ekzekutiv i kompanisë PJM.

“Një sistem i vazhdueshëm i prodhimit të energjisë elektrike është shumë më i rëndësishëm se sa 25 vjet më parë, psh, kur nuk kishim kompjutera, internet dhe gjithë këto pajisje elektrike që kemi sot. Çdo vit ne ndërtojmë infrastrukturë të re për enegjinë elektrike, për t’u siguruar që ajo të vazhdojë pa ndërprerje.”

Me ndryshimin e nevojave për energji elektrike të Amerikës, ndryshojnë edhe burimet e energjisë. Qymyri, burimet hidrike dhe energjia atomike vazhdojnë të jenë burime të rëndësishme, por me shpejtësi po rritet edhe përdorimi i gazit natyror. Kompania PJM po ashtu po punon për integrimin e energjisë së erës dhe asaj diellore, edhe pse këto burime të ripërtëritshme energjie prodhojnë me ritme të ndryshme.

“Kur unë fillova karrierën, krijoja programe kompjuterike për perfeksionimin e punës së centraleve që të përballonin nevojat. Tani përpiqem të shpërndaj ngarkesën e nevojshme tek prodhuesit e energjisë.”

Kështu p.sh., kur rezervat pakësohen, PJM i njofton kolegjet, apo fabrikat t’i fikin pajisjet e tyre. Kjo quhet “përgjigje sipas kërkesës” dhe Michael Bryson thotë se është i kënaqur me këtë fleksibilitet.

Ky lloj komunkimi tepër interaktiv ka rreziqet e veta. Vitet e fundit kompania PJM është përqëndruar tek siguria dhe ajo është zgjeruar për të trajtuar sulmet e sofistikuara në internet ndaj sistemit të transmetimit. Zoti Bryson thotë se është e rëndësishme të ruhet ekuilibri në shpërndarjen e energjisë elektrike. Prandaj, kur ndizen dhe fiken dritat në qytetet e mëdha amerikane, si Washingtoni, apo Chicago, le të kujtojmë se operatorët e kompanisë PJM e kanë nën kontroll të plotë rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike.
XS
SM
MD
LG