Lidhje

SHBA anulon manovrat e përbashkëta me Egjiptin


Presidenti Barak Obama anuloi manovrat e përbashkëta ushtarake të SHBA-së me Egjiptin si reagim ndaj shtypjes së përgjakshme së ushtrisë egjiptiane kundër protestuesve, mbështetës të Vëllazërisë Myslimane. Presidenti i bëri komentet dje në ishullin Martha’s Vineyard të shtetit Massachusetts, ku ndodhet me pushime.

Presidenti Obama dënoi fuqishëm dhunën në rritje, gjendjen e jashtëzakonshme të deklaruar nga ushtria si dhe shtypjen e dhunshme ndaj mbështetësve të presidentit të rrëzuar egjiptian Mohammed Morsi, i cili u hoq nga pushteti muajin e kaluar.

"Ndërkohë që ne duam ta mbështesim marrëdhënien tonë me Egjiptin, bashkëpunimi ynë tradicional nuk mund të vazhdojë si zakonisht ndërsa civilët vriten në rrugë dhe mohohen të drejtat," tha Presidenti.

Për këtë arsye, tha zoti Obama, Shtetet e Bashkuara nuk do ta zhvillojnë stërvitjen e planifikuar me ushtrinë e Egjiptit.

"Si pasojë, njoftuam qeverinë egjiptiane se kemi anuluar stërvitjen e përbashkët ushtarake të planifikuar për çdo dy vjet, e parashikuar për muajin e ardhshëm. I kam kërkuar ekipit tim të sigurisë kombëtare që në vazhdim të vlerësojë implikimet e veprimeve të ndërmarra nga qeveria e përkohshme dhe të përgatisë hapa të mëtejshme që mund të jenë të nevojshme, lidhur me marrëdhëniet amerikano-egjiptiane," tha Presidenti.

Por presidenti nuk e quajti grusht shteti marrjen e pushtetit nga ushtria. Sipas ligjit amerikan, një përkufizim i tillë do ta detyronte Uashingtonin të ndërpriste më shumë se 1 miliard dollarë ndihma në vit ndaj Egjiptit, pjesa më e madhe e të cilave i shkojnë ushtrisë.

Zoti Obama tha se veprimet e fundit të ushtrisë egjiptiane janë një hap në drejtim të gabuar.

"Edhe pse ne nuk besojmë që përdorimi forcës është mënyra për të zgjidhur diferencat politike, pas ndërhyrjes së ushtrisë disa javë më parë, kishin mbetur ende mundësi për pajtim dhe për ndjekjen e një rruge drejt demokracisë. Por në vend të atij drejtimi, kemi parë të merret një rrugë e rrezikshme."

Presidenti tha se "të ardhmen e Egjiptit nuk mund ta vendosë Amerika", por është detyrë e popullit egjiptian. Ai pranoi se, ndonëse administrata e tij nuk ka marrë anën e askujt në çështjen e Egjiptit, të dyja palët janë duke fajësuar Shtetet e Bashkuara. Qëndrime të tilla, tha zoti Obama, nuk i ndihmojnë egjiptianët të realizojnë të ardhmen që ata meritojnë.
XS
SM
MD
LG