Lidhje

Marrëdhëniet SHBA-Egjipt


Ndërsa qeveria e përkohëshme ushtarake e Egjiptit vazhdon masat shtypëse ndaj kundërshtarëve, Uashingtoni është duke rishikuar ndihmat për Egjiptin. Me kundërvënien ndaj sundimit të ushtrisë egjiptiane, që dëboi nga pushteti në korrik presidentin Mohamed Morsi, Shtetet e Bashkuara po përballen në Egjipt me një gjigand të brendshëm me një histori të gjatë kontrolli të shoqërisë, përfshirë masat e kohëve të fundit të shtypjes me dhunë të protestave që lanë qindra të vdekur.

Megjithatë, thotë Robert Springborg, ekspert për Lindjen e Mesme në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterei të Kalifonisë, ushtria egjiptiane duket se shihet përgjithësisht me sy të mirë nga populli.

"Është pa dyshim institucioni më popullor i vendit. Anketat e publikut vazhdimisht kanë treguar miratimin e popullsisë për ushtrinë, midis 80 dhe 90 përqindshit. Asnjë institucion tjetër egjiptian nuk i afrohet në këtë aspekt ushtrisë."

Zoti Springborg thotë se ushtria egjiptiane ze vendin e 11-të në botë për nga madhësia. Ajo është klienti i katërt më i madh i Shteteve të Bashkuara për blerjen e avionëve luftarakë amerikanë F-16 dhe ka mbi 4 mijë tanke.

Ai thotë se Egjipti ka një ushtri shumë të madhe, sipas standarteve të vendeve në zhvillim. Kjo, thotë eksperti, i dedikohet së tepërmi ndihmës amerikane. Shtetet e Bashkuara i japin Egjiptit një ndihmë ushtarake vjetore prej 1,3 miliardë dollarësh.

Megjithatë, disa ligjvënës amerikanë kanë kërkuar që t'i jepet fund ndihmës për Egjiptin pasi ushtria rrëzoi nga pushteti presidentin Mohamed Morsi. Administrata Obama është duke e rishikuar ndihmën ndaj Egjiptit.

Jeffrey Martini, ekspert për marrëdhëniet civile dhe ushtarake të Egjiptit në Korporatën RAND, thotë se një numër shtetesh arabe kanë ofruar ta ndihmojnë Egjiptin, në se Shtetet e Bashkuara do ta kufizonin ndihmën për të.

"Vendet arabe tashmë janë zotuar të japin 12 miliardë dollarë për Egjiptin, pra pak a shumë rreth 10 herë më shumë se sa i japin Egjiptit Shtetet e Bashkuara. Por, ndihma e Shteteve të Bashkuara nuk mund të kompensohet dot, pasi ne e furnizojmë Egjiptin me mjetet e nevojshme ushtarake. Arabia Saudite mund të çojë një sasi të madhe parash nga nafta në Egjipt, por nuk mund ta furnizojë atë me tanket M1-A1, me helikopterët Apache dhe avionët F-16 dhe as me pjesët e këmbimit dhe ndihmën e nevojshme për mirëmbajtjen e tyre."

Shumë ekspertë thonë se megjithë lidhjet e forta mes ushtrisë amerikane dhe asaj egjiptiane, Uashingtoni ka pak mjete për të patur ndikim tek ngjarjet brenda në Egjipt.

Përsëri analisti Jeffrey Martini:

"Çdo shtet vepron për të çuar përpara atë që sheh si interesin e vet strategjik. Ne nuk duhet të kërkojmë falje për këtë, ashtu, sikurse edhe Egjipti nuk duhet ta bëjë një gjë të tillë. Janë udhëheqësit ata që marrin vendimet për të ruajtur pushtetin e tyre dhe në rastin e Egjiptit, kjo do të ndodhë me, ose pa ndihmën amerikane."

Robert Springborg thotë se Shtetet e Bashkuara kanë megjithatë disa mjete në frontin ekonomik, sidomos përmes institucioneve ekonomike ndërkombëtare, si FMN-ja.

Por ai shton se ky mjet duhet përdorur me shumë kujdes nga Shtetet e Bashkuara, sepse siç shprehet eksperti, "kjo mund të nxisë një reagim të ashpër, në se bëhet në mënyrë të vrazhdë."
XS
SM
MD
LG