Lidhje

SHBA, nuk pezullohet ndihma financiare për Egjiptin


Shtetet e Bashkuara dje dënuan dhunën në Egjipt, dhe i bënë thirrje ushtrisë që të tregoj vetëpërmbajtje maksimale. Shtetet e Bashkuara po i bëjnë thirrje Egjiptianëve që të bashkohen në përpjekjet për të kapërcyer ndarjet politike, dhe të vazhdojnë të jenë të angazhuar në procesin politik.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha se Shtetet e Bashkuara mbeten thellësisht të shqetësuara nga rritja e dhunës në Egjipt dhe “nivelin e rrezikshëm të polarizimit politik”.

Komentet e tij vijnë ndërkohë që njoftohet se të hënën ndodhi incidenti më i rëndë i dhunës që nga rrëzimi i presidentit Mohamed Morsi javën e kaluar nga ushtria e Egjiptit.

Ushtarët dhe policia u përleshën me përkrahësit e Vëllazërisë Myslimane jashtë një ndërtese të Gardës Republikane në Kajro. Të paktën 51 njerëz u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën.

Zoti Carney shprehu ngushëllimet për ata që u vranë dhe u plagosën. Ai i bëri thirrje ushtrisë së Egjiptit të ushtrojë vetëpërmbajtje dhe dënoi thirrjet për dhunë nga ana e Vëllazërisë Myslimane.

Duke thënë se në Egjipt “stabiliteti dhe rendi politik demokratik janë në rrezik” , zoti Carney theksoi se Egjipti “nuk do të dali nga kjo krizë nëse njerëzit e këtij vendi nuk bashkohen për të gjetur një rrugë jo të dhunshme dhe gjithëpërfshirëse përpara”.

“Shtetet e Bashkuara nuk favorizojnë e as nuk mbështesin ndonjë parti politike ose grup të veçantë. Ne mbetemi të angazhuar në mënyrë aktive me të gjitha palët, dhe jemi të angazhuar për të mbështetur popullin egjiptian ndërkohë që ai po bënë përpjekje për të shpëtuar demokracinë e tij të sapolindur”.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki konfirmoi se Shtetet e Bashkuara janë në kontakt me të gjitha palët në Egjipt përfshirë Vëllazërinë Myslimane dhe Partinë e Lirisë dhe Drejtësisë, por ajo nuk dha hollësi të tjera mbi këto biseda.

Zëdhënësja Psaki iu përgjigj me vështirësi pyetjes së gazetarëve se pse Vëllazëria Myslimane duhet t’i marrë parasysh thirrjet e Shteteve të Bashkuara për t’u angazhuar në procesin politik pas përmbysjes së presidentit Morsi.

“Procesi demokratik nuk ka të bëjë vetëm me hedhjen e votës. Ka shumë faktorë të tjerë përveç kësaj, përfshirë mënyrën e sjelljes së atyre që qeverisin vendin. Ky është një rast ku miliona njerëz kanë dhënë mendimin e tyre për vendin. Ne nuk jemi duke e gjykuar këtë, por ky është një faktor real në këtë situatë”.

Në pjesën më të madhe të konferencës për shtyp që u zhvillua dje në Shtëpinë e Bardhë u trajtuan pyetjet në lidhje me vendimin kritik me të cilin përballet presidenti Obama dhe Kongresi amerikan, pezullimi i ndihmës ushtarake prej rreth 1,3 miliardë dollarësh.

Sipas ligjit amerikan ndihma ushtarake duhet të pezullohet, nëse përcaktohet se një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike është rrëzuar.

Zoti Carney tha se administrata e presidentit Obama nuk beson se pezullimi i shpejtë i ndihmës do të ishte në interes të Shteteve të Bashkuara, por ai tha se konsultimet e nivelit të lartë lidhur me këtë çështje janë duke vazhduar.
XS
SM
MD
LG