Lidhje

Marrëdhëniet SHBA-Egjipt


Administrata Obama po rishikon ndihmën ndaj Egjiptit, pas marrjes së pushtetit kohët e fundit nga ushtria. Korrespondenti André de Nesnera i hedh një vështrim aktit të forcave të armatosura, për të parë në se ai mund të quhet një grusht shteti.

Më tre korrik, ushtria egjiptiane rrëzoi nga pushteti presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike, një personalitet i rëndësishëm i Vëllazërisë Myslimane, Mohamed Morsin. Atë e larguan nga pushteti pas një viti nga zgjedhja dhe tre ditë pasi miliona egjiptianë protestuan për mënyrën se si ai po drejtonte vendin.

Mirette Mabrouk e Këshillit Atlantik për Lindjen e Mesme “Rafik Harir”, thotë se zoti Morsi e përqëndroi pushtetin tek vetja, refuzoi të dëgjonte këshillat dhe nuk bashkëpunonte me njeri. Ai nuk bëri aspak punë të mirë, thotë zonja Mabrouk.

“Si rezultat, pati njerëz, të cilët ishin kundërshtarë politikë të Presidentit. Pati nga ata që kishin kundërshtime morale ndaj tij dhe pati njerëz, të cilët ishin të uritur dhe të lodhur me mungesat e vazhdueshme të energjisë, benzinës, me inflacionin dhe papunësinë tepër të lartë dhe që nuk mund ta duronin dot më këtë gjendje.”

John Bolton, ish-ambasador i SHBA-së në OKB, gjatë administratës së Presidentit George W. Bush, thotë se qeveria e zotit Morsi e injoroi plotësisht ekonominë.

“Kjo është arsyeja e vërtetë që miliona egjiptianë protestuan nëpër rrugë kundër zotit Morsi. Së pari, ata donin përmirësimin e gjendjes ekonomike. Ata mund ta kenë pranuar një qeveri islamike, por me kushtin e rimëkëmbjes ekonomike. Pikërisht kjo mungesë perceptimi mbi përparësitë e egjiptianëve të zakonshëm, mendoj se i kushtoi shumë shtrenjtë zotit Morsi.”

Por kur ushtria veproi, duke rrëzuar presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike, a ishte kjo teknikisht një grusht shteti? Jeffrey Martini, ekspert për Egjiptin në Korporatën RAND, thotë se nuk ka dyshim që ishte një grusht shteti.

“Ushtria ndërhyri me forcë, duke e rrëzuar presidentin dhe e ndaloi atë. Ata po ashtu u kapën një numër zyrtarësh të lartë të Vëllazërisë Myslimane. Ushtria po ashtu mbylli zyrat e Partisë për Liri dhe Drejtësi në Kairo, që është krahu politik i Vëllazërisë, pezulloi kushtetutën, shpërndau Parlamentin dhe mori kontrollin e gazetës zyrtare. Pra, të gjitha këto të marra së bashku, janë një grusht shteti.”
Por administrata Obama ka hezituar t’i cilësojë këto veprime marrje të pushtetit me një grusht shteti. Ja si u shpreh zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney:

“Do të shprehem hapur, kemi të bëjmë me një situatë jashtëzakonisht komplekse dhe të vështirë. Presidenti Obama e tha qartë shqetësimin tonë të thellë për vendimin e forcave të armatosura të Egjiptit për largimin nga pushteti të zotit Morsi dhe pezullimin e Kshtetutës. Po ashtu është e rëndësishme të pranosh se dhjetra mijëra egjiptianë kanë pakënaqësi të ligjshme për formën jo-demokratike të qeverisjes nga Presidenti Morsi dhe ata nuk janë të mendimit se në Egjipt pati një grusht shteti.”

Zëdhënësi Carney tha gjithashtu, se ka pasoja të rëndësishme që shoqërojnë përcaktimin “marrje e pushtetit nga ushtria në Egjipt me grusht shteti”.
Ekspertët thonë se një pasojë e tillë ka të bëjë me ndihmën amerikane. “Akti për ndihmën jashtë vendit” nënkupton që SHBA duhet t’i ndalë ndihmat ushtarake ndaj cilitdo vend, ku presidenti i zgjedhur në mënyrë demokratike rrëzohet me grusht shteti. Eskperti Jeffrey Martini thotë se SHBA i japin Egjiptit dy lloje ndihmash.

“Sasia më e madhe e ndihmës është bazuar mbi rregulloren “financime ushtarake jashtë vendit”, e njohur dhe si FMF, me vlerë 1,3 miliardë dollarë në vit, pastaj janë operacionet e mirëmbajtjes së avionëve F-16, tankeve dhe helikopterëve luftarakë.”

Kjo është ndihma që do të ndalojë, në se administrata Obama vendos ta quajë grusht shteti atë që ndodhi në Egjipt. Zoti Martini thotë se tipi tjetër i ndihmës për Kajron, është përmes “Fondit të mbështetjes ekonomike”, që në vitin fiskal 2012 ishte 250-millionë dollarë.

Ai thotë se, qoftë nëse ndihma është ushtarake apo ekonomike, paratë kthehen përsëri në SHBA, ku janë bërë shkurtime të ndjeshme në fushën e mbrojtjes për shkak të krizës ekonomike. Por eksperti Martini shton se kur ligjvënësit amerikanë dhe specialistët flasin për ndërprerjen e ndihmës ekonomike dhe ushtarake ndaj Egjiptit, në thelb ata kanë parasysh pasojat e dëmshme tek industria amerikane e mbrojtjes.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG