Lidhje

SHBA pezullojnë ndihmat ushtarake për Egjiptin


Ndihmat pezullohen deri sa autoritetet në Uashington të shohin përparim të besueshëm drejt zgjedhjeve të lira dhe një qeverie demokratike civile

Shtetet e Bashkuara thanë se do të pezullojnë ndihmat ushtarake dhe financiare për Egjiptin në vlerë prej qindra miliona dollarësh, derisa autoritetet në Uashington të shohin "përparim të besueshëm" drejt organizimit të zgjedhjeve të lira dhe krijimit të një qeverie demokratike civile.


"Presidenti ka qenë i qartë se ne nuk jemi në gjendje të vazhdojmë bashkëpunimin normal, dhe siç e dini, ne tashmë kemi njoftuar se nuk do t’i japim Egjiptit disa sisteme të caktuara ushtarake të planifikuara më parë. Pas rezultateve të shqyrtimit të ndihmës sonë për Egjiptin të urdhëruar nga presidenti Obama dhe pas komunikimeve të duhura diplomatike dhe komuinikimeve me Kongresin, në të ardhmen ne do të nxjerrim njoftime mbi marrëdhëniet tona me Egjiptin dhe ndihmën për këtë vend."

Presidenti Obama tha në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara muajin e kaluar se qeveria e përkohshme e Egjiptit e mbështetur nga ushtria ka "marrë vendime që nuk janë në përputhje me demokracinë." Në atë kohë, presidenti Obama tha se mbështetja e mëtejshme amerikane do të varej nga ndjekja e një rruge më demokratike.

Administrata e Presidentit Obama ka shqyrtuar pakësimin e ndihmës për Egjiptin që nga korriku, atëherë kur ushtria egjiptiane rrëzoi nga pushteti Presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike, zotin Mohamed Morsi.

Shpërthimi i dhunës në mes të mbështetësve të zotit Morsi dhe forcave ushtarake ka bërë që Shtetete e Bashkuara të ndryshojnë politikën e saj mbi ndihmën amerikane për këtë vend.


"Ne duhet ta përshtasim politikën me atë që shohim në terren. Ne e kemi bërë të qartë se disa prej veprimeve që palët e ndryshme kanë ndërmarrë gjatë këtyre muajve të fundit nuk janë të pranueshme."

Ushtria e Egjiptit rrëzoi presidentin Mohammed Morsi në korrik dhe ia dha pushtetin një qeverie të re të përkohshme për të udhëhequr Egjiptin deri në zgjedhjet e reja që do të mbahen vitin e ardhshëm. Që atëherë, të paktën 1 mijë njerëz janë vrarë, shumica islamistë, në përpjekjet e ushtrisë për të shtypur militantët dhe përkrahësit e zotit Morsi dhe Vëllazërisë Myslimane.

Zoti Morsi më 4 nëntor do të dal para një gjykate për t’u përballur me akuzat për nxitje të vrasjes së kundërshtarëve në kohën kur ai ishte president.

XS
SM
MD
LG