Lidhje

SHBA përballë kërcënimit të shkurtimeve automatike


Pas një fushate intensive dhe plot tensione, një betejë e re politike ka filluar në Uashington, e cila mund të ketë pasoja serioze për ekonominë amerikane. Administrata demokrate dhe republikanët në Kongres parashtruan dje qëndrimet e tyre për të shmangur rritjen automatike të taksave dhe shkurtime buxhetore në fillim të vitit 2013. Nëse nuk arrihet një zgjidhje, analistët paralajmërojnë se ekonomia do të përfshihet nga një cikël i ri krize:

I pajisur me një mandat të ri si Presidenti i vendit, Barak Obama tingëlloi dje i gatshëm për të gjetur gjuhën e bashkëpunimit, duke i ftuar udhëheqësit e Kongresit dhe biznesit në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme për diskutime mbi uljen e deficitit. Presidenti tha se është i hapur ndaj të gjitha ideve, por se nuk do të pranojë plane që bazohen vetëm tek shkurtimet buxhetore:

“Nuk mund ta bazojmë planin për fuqizim ekonomik vetëm tek shkurtimet. Nëse duam seriozisht të ulim deficitin, shkurtimet duhet të kombinohen me rritjen e të ardhurave, duke u kërkuar amerikanëve më të pasur të paguajnë taksa pak më të larta”.

Republikanët thonë se rritja e taksave për të pasurit do të shoqërohej me shkurtime masive të vendeve të punës.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner tha dje para takimit me Presidentin se mbështet një farë rritje taksash në kuadër të një reforme të përgjithshme fiskale. Por ai kërkoi zgjatjen e afatit për të zgjidhur mospajtimet:

“Viti 2013 duhet të jetë viti i zgjidhjes së borxhit përmes reformave fiskale dhe të programeve qeveritare. Propozoj të gjejmë një zgjidhje në një mënyrë që 2013-a të kujtohet si viti kur qeveria u përball dhe pranoi ekzistencën e këtyre problemeve të mëdha për vendin”.

Rritja e taksave dhe reduktimi i shpenzimeve për mbrojtjen dhe programet e brendshme hyjnë në fuqi më 1 janar, nëse Kongresi nuk del me një plan për të ulur borxhin prej 16 trilionë dollarësh.

Pas fushatës që taksat për amerikanët e pasur të rriten përsëri në përqindjen zyrtare, Presidenti Obama tha se ka mbaruar koha e negociatave:

“Askush, as republikanët, as demokratët nuk duan rritje taksash për ata që bëjnë më pak se 250 mijë dollarë në vit. Prandaj, ndërkohë që diskutojmë propozimet për shkurtime, të miratojmë vazhdimin e shkurtimeve të taksave për klasën e mesme”.

Paqartësia për krizën fiskale amerikane i ka tronditur javët e fundit tregjet financiare. Zyra e Kongresit për Buxhetin thotë se ndërthurja e shkurtimit të shpenzimeve me rritje taksash mund ta ulë në masën 50 për qind deficitin. Por mund të sjellë edhe recesion për ekonominë më të madhe të botës, duke shkurtuar miliona vende pune dhe duke kërcënuar rritjen ekonomike në vende të tjera.
XS
SM
MD
LG