Lidhje

SHBA, ekonomistët të shqetësuar për çështjen e borxhit

  • Kane Farabaugh

Bursa Tregtare e Çikagos

Bursa Tregtare e Çikagos

Bordi i Tregtisë i Çikagos është bursa më e vjetër tregtare në botë ku shkëmbehen mallra dhe instrumente të tjera financiare. Tani që po afron afati për rritjen e kufirit të borxhit, pra që administrata amerikane të ketë para të mjaftueshme për pagimin e kësteve, tregtarët e bursës së Çikagos besojnë se marrëveshja do të arrihet. Ata janë më të shqetësuar për një zhvlerësim të mundshëm të besueshmërisë së kreditit amerikan nga agjencitë e specializuara.

Në debatin për rritjen e tavanit të borxhit, ligjvënësit amerikanë e pranojnë se dështimi mund të bëjë që Amerika të mos jetë në gjendje të shlyejë këstet e borxhit.

Por, Skot Shelladi i cili merret me investimet në energji, thotë se, që Amerika të arrijë të mos paguajë, kjo vështirë se mund të ndodhë.

Skot Shelladi, specialist për investimet në energji
"Unë mendoj se ne duhet të flasim më tepër për një ulje të mundshme të besueshmërisë. Por ne nuk do të dështojmë të paguajmë këstet sepse i kemi fondet e mjaftueshme për të përmbushur detyrimet. Ne thjesht e përdorim fjalën dështim për të arritur diçka sa më shpejt."

Që nga viti 1917, Shtetet e Bashkuara gëzojnë nivelin më të lartë në vlerësimin e kreditit, të ashtuquajtur tre A. Agjencitë kryesore të klasifikimit të kreditit thonë se po e shqyrtojnë situatën borxhit amerikan për një ulje të mundshme të këtij niveli. Dhe nëse kjo ndodh, pasojat do të jenë të mëdha.

Skot Shelladi, specialist për investimet në energji
"Në këtë rast, do të na duhet të gjejmë blerës për bonot tona të thesarit, që të mund të paguajmë borxhet dhe të mbajmë qeverinë. Mënyra e vetme është që t’u japim këtyre blerësve një interes më të lartë. Pra, interesat do të rriten për të tërhequr investitorët, dhe kjo do të shkaktojë rritje interesash në të gjitha nivelet. "

Paola Sapienza, profesore e ekonomisë në Universitetin Northwestern thotë se në një rast të tillë, çdo përfitim që mund të nxirrej nga shkurtimet e buxhetit do të bëhej i parëndësishëm, nëse Shtetet e Bashkuara, humbasin aftësinë paguese, ose i ulet klasifikimi i kreditit.

Paola Sapienza, profesore e ekonomisë, Universiteti Northwestern
"Ironia e është se nëse interesat rriten, atëhere pagesa e borxhit do të rritet shumë, dhe kjo mund të ndikojë te llojet e tjera të shërbimeve që duhen shkurtuar."

Ndërkohë që debati vazhdon në Uashington, tregtarët e bursës së Çikagos vëzhgojnë me kujdes.

Analisti Mathju Pirs, thotë se atmosfera në bursë është e zymtë. Zoti Pirs merret me analizën e çmimit për firmën GrainAnalyst.com.

Mathju Pirs, Ekspert i firmës GrainAnalyst.com
"Ne duhet të ishim shumë optimistë për tregjet sot por për shkak të çështjeve monetare dhe të borxhit, duhet të kemi kujdes me optimizmin tonë deri sa ta marrim vesh nëse do të ketë marrëveshje apo jo."

Dy gushti është afati i fundit për të arritur marrëveshje. Është dita kur Departamenti amerikan i Thesarit thotë se nuk do të ketë më para për të përmbushur të gjitha detyrimet financiare.

Skot Shelladi, specialist për investimet në energji
"Sa më shumë afrohet kjo datë dhe nuk arrihet gjë, aq më e keqe do të jetë marrëveshja, dhe kështu do të na duhet të arrijmë një marrëveshje tjetër pas 6 muajsh, pastaj pas 18 muajsh, pas 5 vjetësh e kështu me radhë, deri sa të realizohen shkurtimet e nevojshme."

Edhe nëse ligjvënësit arrijnë marrëveshje për të ngritur tavanin e borxhit dhe për të shmangur mospagimin, agjencitë e klasifikimit të kreditit thonë se kërcënimi për ekonominë amerikane ende ekziston nëse nuk ka një plan afatgjatë për të rregulluar deficitin.

XS
SM
MD
LG