Lidhje

SHBA: Ekspozitë udhëtimesh, “Artet e NASA-s, 50 vjet eksplorime”


SHBA: Ekspozitë udhëtimesh, “Artet e NASA-s, 50 vjet eksplorime”
SHBA: Ekspozitë udhëtimesh, “Artet e NASA-s, 50 vjet eksplorime”

Ekspozita përfshin arritje të rëndësishme të historisë amerikane të hapësirës. Kuratori Tom Crouch thotë se veprat e artit pasqyrojnë vizionet dhe ndjeshmëritë e një grupi të shumëllojshëm artistësh. Ai thotë:

“Gjithë koleksioni pasqyron një nocion të mrekullueshëm artistik, që kemi kaluar gjatë një periudhe 50 vjeçare, që nga udhëtimet e para në hapësirë e deri tek sondat planetare, dhe këtë e shikon nëpërmjet syve dhe përvojës së këtyre artistëve”.

Ekspozita është kronologjike, duke filluar me “Hapat e Parë” të Mitchell Jamieson. Në këtë portret të vitit 1963, astronauti Gordon Cooper vë këmbë në një anije pas 22 rrotullimesh rreth orbits së Tokës në një kapsulë Mercury të hapësirës.

Aty pranë është përshtypja e ilustratorit të famshëm amerikan Norman Rockwell të fluturimit të parë të programit Gemini në vitin 1965.

Në ekspozitë ndodhet edhe vepra tjetër e artit e Rockwellit ‘Mbrapa Apollo 11’ që nuk përmban gjë tjetër veçse fytyrave të astronautëve, ekipit mbështetës, bashkëshorteve të tyre, shkencëtarëve dhe menaxherëve, që i ndihmuan ata të shkonin në hënë.

Edhe vepra të tjera në ekspozitë janë të frymëzuara nga programi i anijes Apollo.

Artisti Andy Warhol pasqyron imazhin e ecjes së parë në hënë të Neil Armstrongut. Piktori Robert McCall pasqyron imazhin e motorit të raketës, që hedh sondën hënore drejt tokës, ndërsa Crystal Jackson në veprën e saj “Kasollja e Hënës” tregon ngjarje që shfaqen para vizitorëve në Cape Canaveral të Floridës, vendi i lëshimit të anijeve të hapësirës.

“Ishte një pikë hamburgersh në portën kryesore të NASA-s me një hënë të madhe dhe karaktere të mrekullueshëm, që i tërhiqte kënaqësia e këtij programi”. - thotë kuratori i ekspozitës

Ekspozita përfshin edhe fotografi të William Wegmanit, i njohur për portretet e qenëve të racës Weimaraner, që shihet këtu në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Dhe në hapësirën e ekspozitës është vendosur edhe një skulpturë e krijuar me copa gomash, e quajtur “Kujtimi i Kolumbias”, për të mos harruar anijen e hapësirës Kolumbia dhe ekuipazhin e saj, e cila pësoi një aksident katastrofik ndërsa hynte në atmosferën e tokës në vitin 2003.

Një vepër tjetër e krijuar nga piktorja Barbara Ernst Prey është ajo e aeroplanit më të shpejtë në botë, X-43.

Zonja Prey ishte në shkretëtirën Mojave të Kalifornisë për të parë nisjen e aeroplanit të lëshuar nga një aeroplan-mbajtës, që arriti shpejtësinë 10 herë sa shpejtësia e zërit. Ajo thotë:

“Kam pasur për qëllim të pasqyroj qiellin e kaltërt dhe këtë objekt kaq të shpejtë dhe energjinë që lëshon. Këtë jam përpjekur ta pasqyroj me ngjyrën e verdhë dhe ngjyra të tjera në mes të reve pas objektit”.

Zonja Prey thotë se kjo përvojë e mbushi me një ndjenjë krenarie.

“Këta janë artistë të talentuar që kanë bërë gjëra të mrekullueshme. Mendoj se kjo është ajo që unë mësova. Kur shikon dhe mendon rreth universit, i shikon gjërat ndryshe dhe me entuziazëm”.

Vizitorja Barbara Baldwin nga San Antonio e Teksasit, shpreh të njëjtin entuziazëm.

“Ishte diçka e bukur që u rrita duke parë evolimin e eksplorimit në hapësirë. E mbaj mend si sot, ku isha, kur njeriu i parë vuri këmbën në hënë. Familja ime u mblodh para televizorit anë natë dhe unë kam kujtime shumë të mira.”

Hunter Thorton nga Vidalia e Luizianës erdhi në muze me disa shokë të shkollës së mesme. Ai thotë se ky ishte një rast i mirë për të që të vishte kostumin nga filmi “Star Wars”.

Atij i pëlqen shumë zhanri fantastiko-shkencor, por e tërheqin edhe veprat e artistëve që interpretojnë ngjarje reale.

“Kjo tregon se Amerika po ecën shumë përpara në teknologji dhe në eksplorimin e hapësirës. Shpresoj që një ditë ne të veshim çdo ditë kostume të tilla”.

Ekspozita “Artet e NASA-s, 50 vjet eksplorime”, do të vazhdojë udhëtimin nëpër qytete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara deri vitin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG