Lidhje

Ekuadori kritikon SHBA për rastin e Snowdenit


Babai i ish-kontraktorit të zbulimit Edward Snowden, që nxorri detajet e programeve sekrete të monitorimit të qeverisë amerikane, thotë se beson se i biri, nën disa rrethana të caktuara, do të kthehej në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuza të spiunazhit.

Në një intervistë për televizionin NBC sot, Lonnie Snowden tha se përmes avokatit të tij i ka thënë Prokurorit të Përgjithshëm Eric Holder se djali i tij ndoshta mund të kthehej në Shtetet e Bashkuara nëse qeveria premton ta lërë të lirë para procesit gjyqësor, nuk e ndalon të flasë publikisht për çështjen dhe e lejon të zgjedhë se ku do të gjykohet.

Departamenti i Drejtësisë nuk ka reaguar, por të dyshuarit për krime në Shtetet e Bashkuara nuk kanë të drejtën të zgjedhin se ku gjykohen dhe janë gjykatësit ata që marrin vendimin për t’i lënë ose jo të lirë të dyshuarit dhe nësa ata duhet të kenë kufizime për ato që thonë publikisht.

Ndërkaq, Presidenti i Ekuadorit Rafael Correa kritikoi Shtetet e Bashkuara për presionin që po i bën vendit të tij lidhur me shqyrtimin e kërkesës për azil të ish kontraktorit të shërbimit amerikan të zbulimit Edward Snowden. Komentet e zotit Correa u bënë ndërkohë që zyrtarët amerikanë kërcënuan se mund të pezullojnë përfitimet e Ekuadorit nga shkëmbimet tregtare me Shtetet e Bashkuara.

“Përballë këtij shantazhi, atë që ne kemi thënë, atë që kam konfirmuar dhe atë që është duke u shpallur zyrtarisht është thirrja ime drejtuar qeverisë amerikane që të mos na kërcënojë me heqjen e tarifave preferenciale, ne mund t’i heqim ato në mënyrë të njëanshme dhe të parevokueshme, ju mund t’i mbani për vete ato”.

Mediat njoftojnë se Edward Snowden ndodhet ende në një aeroport të Moskës, larg syve të publikut. Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Rusisë ta ekstradojë atë, por Presidenti rus, Vladimir Putin, ka refuzuar ta bëjë këtë.

“Situata është e ndërlikuar sepse për të shqyrtuar kërkesën për azil Edward Snowden duhet të jetë në një ambasadë ekuadoriane, ose në territorin ekuadorian gjë që nuk ka ndodhur ende. Edward Snowden ndodhet në një situatë komplekse, ne nuk e dimë se si do të zgjidhet ajo”.

Snowden u arratis në Hong Kong dhe ka bërë publike hollësi të dy programeve sekrete të Agjencisë Kombëtare të Sigurimit që përgjojnë telefonatat dhe internetin në Shtetet e Bashkuara.
XS
SM
MD
LG