Lidhje

Akuza të ashpra dhe tone negative shoqërojnë fushatën presidenciale


Presidenti Obama dhe kandidati republikan Mitt Romney po shkëmbejnë akuza të shumta në reklamat elektorale

Anketa e fundit e zhvilluar nga gazeta New York Times dhe rrjeti CBS tregon se aktualisht gara presidenciale është plotësisht e paparashikueshme. Presidenti Obama dhe ish-guvernatori Mitt Romney janë mbërthyer në një konkurencë të fortë ku, për momentin, asnjëri nuk ka epërsinë. Por ajo që po e karakterizon garën presidenciale gjatë javëve të fundit ka qenë toni i spikatur negativ i fushatës:

Fushata presidenciale po zhvillohet kryesisht përmes valëve të radios dhe televizionit me një barazh reklamash negative nga të dy kandidatët. Një reklamë e Presidentit Obama thotë se kompanitë amerikane transferuan vende pune jashtë vendit gjatë kohës kur zoti Romney drejtonte firmën e investimeve Bain Capital.

Fushata e zotit Romney i hedh poshtë akuzat dhe përgjigjet me një seri reklamash:

Lufta e reklamave lidhur me të kaluarën e zotit Romney si biznesmen dhe kërkesa që ai të publikojë dokumentat e taksave që ka paguar, e kanë detyruar kandidatin republikan të hidhet në mbrojtje.

Zoti Romney po përpiqet ta përqëndrojë debatin mbi gjendjen e ekonomisë gjatë mandatit të Presidentit Obama, që shfaqet në anketa si thembra e Akilit për Presidentin.

“Objektivi i tij nuk është të hapë vende pune, por të përpiqet të mbajë vendin e tij të punës. Prandaj edhe do të humbasë në zgjedhje”.

Presidenti, nga ana e tij, po përpiqet të mobilizojë përkrahësit:

“Ju premtoj se do të përfundojmë atë që filluam në vitin 2008. Nuk do të kthehemi pas. Do të ecim përpara dhe do t’i fitojmë zgjedhjet”.

Fushata e Presidentit Obama synon ta mbajë fokusin e debatit tek zoti Romney dhe e kaluara e tij, thotë specialisti i anketave Peter Brown:

“Ka përpjekje të ethshme për të etiketuar zotin Romney para votuesit amerikan. Këto përpjekje po i bën kampi elektoral i zotit Obama, i cili do t’i japë atij ngjyrime negative. Kandidati që fiton në përpjekjet për të gjetur një identifik sa më bindës për zotin Romney para votuesve, është ai që do të fitojë zgjedhjet”.

Në kushtet e një ekonomie të dobët, zoti Obama nuk ka shumë zgjedhje, përveç hedhjes në sulm, thotë analisti Charlie Cook:

“Atij i duhet ta disktretitojë, ta eliminojë nga gara zotin Romney në mënyrë që të fitojë, pasi ekonomia është në atë gjendje që do të dëmtonte këdo që do të ishte në Shtëpinë e Bardhë në këto momente”.

Një vendim i madh e pret zotin Romney tani – zgjedhja e një kandidati për nënpresident. Emrat që po lakohen më shpesh janë Senatori Rob Portman nga Ohaji dhe ish-guvernatori i Minesotës Tim Pawlenty.
XS
SM
MD
LG