Lidhje

SHBA: Ende e paparashikueshme gara republikane për president

  • Xhim Mëllon

Ish-Senatori nga Pensilvania Rick Santorum i ka dhënë një hov të ri fushatës së tij presidenciale me fitoret të martën në Alabama dhe Misisipi. Zoti Santorum vazhdon të renditet pas pretendetit Mitt Romney për sa u përket votave të fituara deri tani, por duket se kjo garë do të zgjasë më shumë se ishte parashikuar fillimisht. Korrespondenti Jim Malone na sjell një analizë të garës republikane:

Fitoret e ish-Senatorit Rick Santorum në dy shtete jugore e kanë forcuar pozitën e tij si alternativë ndaj pretendentit kryesor Mitt Romney.

“Kujt do t’ia kishte marrë mendia se në këtë epokë të mbulimeve mediatike që shohim sot në këtë vend, njerëz të thjeshtë do të arrinin t’u dilnin kundër parashikimeve?”

Suksesi i zotit Santorum i kushtoi konkurentit tjetër, ish-Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich. Ai doli në vend të dytë në Misisipi dhe Alabama dhe ka mundësi të gjendet përballë presionit të republikanëve për t’u tërhequr nga gara.

Zoti Gingrich u tha përkrahësve se është i vendosur të vazhdojë garën deri në kuvendin e partisë në Tampa të Floridës për zgjedhjen e kandidatit që zhvillohet në gusht të këtij viti

“Po flas për vajtjen në kuvendin e Tampës pasi zgjedhjet e fundit provuan dështimin e përpjekjeve të medias për të bindur vendin se Mitt Romney është zgjedhja e padiskutueshme”.

Zgjedhjet e fundit partiake sollën një rezultat zhgënjyes për Mitt Romney-n, megjithëse ai fitoi në Havai dhe në territoret Samoa dhe ende mbetet kandidati më i fortë me një numër të përgjithshëm votash 2 herë më të lartë se Santorum.

Zoti Romney po zhvillonte fushatë në Mizuri, ku zhvillohen zgjedhjet këtë të shtunë dhe u përqëndrua në kritikat kundër Presidentit Obama:

“Këtij presidenti i kanë mbaruar idetë dhe justifikimet. Në nëntor 2012 duhet të sigurohemi se ai nuk do t’i fitojë zgjedhjet”.

Analistët thonë se rezultatet e fundit në garën republikane tregojnë se zoti Romney ende nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e bazës së partisë republikane, koservatorëve në pikëpamje fetare dhe sociale sidomos në shtetet e jugut. Henry Olsen është nënpresident i Institutit American Enterprise:

“Zoti Romney nuk ka qenë në gjendje të bindë konservatorët e mirëfilltë dhe aktivistët konservatorë se është kandidat i pranueshëm. Nuk ka nevojë që ta duan, por e ka shumë të nevojshme mbështetjen e tyre”.

Udhëheqësit e partisë republikane e kanë mbështetur përgjithësisht zotin Romney dhe do të donin që kjo fushatë e gjatë dhe përçarëse të marrë fund, në mënyrë që partia të bashkohet për t’iu kundërvënë në nëntor presidentit Obama.

Duhen 1144 delegatë për të siguruar emërimin e Partisë Republikane. Sipas përllogaritjes së agjencisë Associated Press, zoti Romney ka tani rreth 500 delegatë, ndërsa zoti Santorum afro gjysmën e këtij numri. Kandidatët e tjerë, Gingrich dhe Paul renditen shumë më prapa.

Në pjesën më të madhe të garave republikane që mbeten, kandidatët do të sigurojnë numër delegatësh në proporcion me numrin e votave që marrin. Si rezultat gara republikane mund të vazhdojë edhe për disa muaj e ndoshta deri në prag të kuvendit të partisë në muajin gusht.

XS
SM
MD
LG