Lidhje

SHBA: Ende pa marrëveshje mbi kufirin e borxhit


SHBA: Ende pa marrëveshje mbi kufirin e borxhit
SHBA: Ende pa marrëveshje mbi kufirin e borxhit

Ndërkohë që ekziston mundësia që Shtetet e Bashkuara të mos arrijnë t’i paguajnë borxhet, dhe paralajmërimet e ekonomistëve, investitorëve dhe agjencive të vlerësimit të kreditit vazhdojnë, Uashingtoni ka ngecur mes një debati politik që ka bllokuar marrëveshjen për uljen e deficitit që do t’i hapte rrugën rritjes së kufirit të borxhit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Majkëll Bouman njofton se jo vetëm që bisedimet mes Shtëpisë së Bardhë dhe udhëheqësve të kongresit nuk kanë përparuar, por kanë dalë edhe fraksione të tjera mes dy partive kryesore politike që po e bëjnë arritjen e një marrëveshjeje ende më të komplikuar.

Ndërkohë që presidenti Barak Obama përgatitet për një raund tjetër negociatash me ligjvënësit kryesorë, sekretari i shtypit Xhei Karni nuk dha shenja se ka të ngjarë të arrihet një marrëveshje e papritur që do të shmangte mospagimin e borxhit kombëtar amerikan prej 14,3 trilion dollarësh.

"Presidenti është gati të arrijë një marrëveshje. Ai po pret të gjejë partnerë."

Republikanët duken akoma më pesimistë. Udhëheqësi i pakicës në senat Miç Mekonëll vazhdoi kundërshtimet e tij ndaj këmbënguljes demokrate që rritja e taksave të ishte pjesë e marrëveshjes së buxhetit.


"Republikanët nuk do të kthehen në taksambledhësit e ekonomisë së zotit Obama. Ne nuk do t’i themi një marrëveshjeje të keqe se është e mirë. Nëse ai dhe senati demokrat duan të marrin borxh deri sa të shkatërrohemi ata mund ta bëjnë këtë. Por nuk mund të presin që republikanët t’i ndihmojnë."

Mëkonëll ka thënë se nëse nuk arrihet një marrëveshje dy-partiake, republikanët duhet t’i lajnë duart nga çështja e kufirit të borxhit duke i dhënë presidentit Obama mundësinë të rrisë kufirin e huasë pa pajtimin e ligjvënësve republikanë. Kjo do ta vinte të gjithë barrën e një lëvizjeje jopopullore mbi demokratët para zgjedhjeve kombëtare të vitit të ardhshëm.

Por uniteti i Partisë Republikane duket se është lëkundur. Kryetari i dhomës së përfaqësuesve Xhon Bejnër ka thënë se synimi i tij është ulja e deficitit me 4 trilion dollarë gjatë 10 viteve të ardhshme, ndërsa zëvendësi i tij kryesor, kreu i shumicës në dhomën e përfaqësuesve Erik Kantor, duket se është përqendruar në një marrëveshje më të vogël që ka të bëjë me shkurtimet e buxhetit për të cilat është rënë dakort në negociatat e zhvilluara deri tani. Të dy ata nuk dhanë shenja mosmarrëveshjeje gjatë një konference për shyp dje, madje zoti Bejnër arriti ta përqafonte zotin Kantor para kamerave.

Ndërkohë, disa republikanë po mbështesin propozimin e zotit Mekonëll, dhe shumë prej tyre duket se nuk duan ta lënë shansin e një marrëveshjeje të rëndësishme për buxhetin t’u rrëshqasë nga duart. Seantorit republikan Bob Korker nga Tenesi është kundërshtar i flaktë i ngritjes së taksave. Por dje ai kritikoi pozitat e ngurta të partive në negociata dhe duket se kërkonte kompromis.

"Jam shumë i zhgënjyer që të dy palët duan që t’u dalë fjala e tyre. Nuk mendoj se ky vend është krijuar në mënyrë që vetëm njëra parlë të marrë atë që do.”

Por kompromisi duket si fjalë e huaj për lëvizjen kundër rritjes së taksave Tea Party, pjesë e partisë republikane.

Senatori Marko Rubio, republikan nga Florida thotë se qëndrimi i ashpër kundër rritjes së taksave nuk ka të bëjë me ideologjinë por me ekonominë.

"Shpesh në politikë, kompromiset i keqësojnë gjërat në vend që t’i përmirësojnë. Po të rriten taksat në këtë ekonomi, me 9 për qind papunësi, ne do t’i bëjmë gjërat më keq."

Ndërkohë, ligjvënësit demokratë theksojnë se çdo marrëveshje për buxhetin që do të mbështetet vetëm tek shkurtimet e shpenzimeve do të dëmtojë klasën e mesme dhe të varfërit, ndërsa do të mbronte të pasurit nga sakrifica. Riçard Dërbin është senator demokrat nga Ilinoi:

"Ne duhet të vëmë gjithçka në tavolinë: shpenzimet, përfitimet dhe të ardhurat. E theksoj, gjithçka."

Fërkimet janë shfaqur edhe brenda partisë demokrate, ku disa ligjvënës e kundërshtojnë lëshimin e presidentit Obama për të konsideruar ndryshime themelore në prorame përfitimesh që sigurojnë të ardhura dhe kujdes shëndetsor për pensionistët.
Megjithë zërat dhe kërkesat e ndryshme, sekretari i shtypit Karni thotë se një marrëveshje ende është e mundur para afatit të 2 gushtit për rritjen e kufirit të borxhit.

"Marrëveshja është e mundur. Është në tavolinë. Thjesht duhet të shtrijmë dorën dhe ta marrim dhe të kemi vullnetin për të arritur kompromise. Për këtë duhet menduar për publikun amerikan dhe jo vetëm bazat e mbështetjes partiake."

Presidenti Obama është takuar me udhëheqësit e kongresit çdo ditë këtë javë, dhe ditët e ardhshme priten edhe takime të tjera.

XS
SM
MD
LG