Lidhje

Diplomacia amerikane, më e vëmendshme ndaj fesë


Departamenti amerikan i Shtetit kohët e fundit ka krijuar një zyrë të veçantë për të koordinuar diplomacinë e vet me grupet fetare. Kjo zyrë është një përgjigje ndaj kritikave se në të kaluarën Shtetet e Bashkuara nuk janë kujdesur sa duhet për besimet fetare të të huajve. Por nisma e re ka ngritur gjithashtu shqetësime se grupet e krishtera në vend tani mund të përpiqen të ndikojnë në politikën e jashtme amerikane.

Dewirini Anggraeni krijoi një organizatë ndërfetare në Xhakartë të Indonezisë, pas marrjes së një burse për të vizituar Shtetet e Bashkuara. Ajo thotë se e urrente Amerikën për shkak të politikës së saj të jashtme. Por pasi arriti në Nju Jork, kjo ndryshoi.

"Unë pashë shumë gra që përdornin hixhabin dhe mund të ecnin lirshëm në rrugë e të luteshin. Pashë kaq shumë xhami saqë mendoj se amerikanët e vlerësojnë dhe e respektojnë njëri-tjetrin mes besimeve të ndryshme," thotë aktivistja.

Departamenti i Shtetit shpreson të komunikojë me të tjerë njerëz si ajo me anë të Zyrës së Nismave për Komunitetet me Bazë Fetare – të krijuar kohët e fundit nga Sekretari i Shtetit John Kerry.

"Dua që të angazhoni udhëheqës fetarë dhe komunitete me bazë fetare gjatë punës suaj të përditshme," thotë Sekretari Kerry, i cili në krye të zyrës së re emëroi profesorin e etikës së krishterë Shaun Casey.

Tani që po fillon detyrën, zoti Casey thotë se do të punojë me grupe fetare vendase dhe të huaja të cilat mund të ndihmojnë në parandalimin ose zgjidhjen e konflikteve jashtë vendit.

"Duhet të bashkëpunojmë me këto grupe, të dimë se çfarë bëjnë, çfarë ndikimi kanë, sepse ne kemi interes në atë fushë. Është në dëmin tonë nëse i injorojmë."

Ish-Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton e inkurajonte angazhimin me udhëheqësit e huaj fetarë kur ishte në këtë post. Në fakt, ka shumë grupe fetare amerikane, të cilat punojnë në fushën e ndihmës ndërkombëtare apo në mbështetje të lirisë fetare në vende të huaja, që e kërkonin krijimin e zyrës së re. Por kjo e shqetëson profesoreshën e Çështjeve Ndërkombëtare Melani Mcalister.

"Kjo do të shtonte ndikimin e disa organizatave fetare në politikën e jashtme, pikërisht sepse ata thonë që Amerika ka nevojë të komunikojë me organizatat e huaja fetare dhe kush më mirë se ne mund të ndihmojë në realizimin e këtij komunikimi."

Fakti që Departamenti i Shtetit e cilëson grupin palestinez Hamas si një organizatë terroriste, e bën profesoreshën të argumentojë se përzgjedhja e grupeve me të cilat do të bashkëpunohet do të jetë politike.

"Pra ka shumë mënyra me të cilat feja po gjykohet, ndërkohë që bëhen përpjekje për angazhim drejt saj."

Zoti Casey thotë se nuk ka lista grupesh fetare që do të përjashtohen.

"Ne do të bisedojmë me këdo që është i gatshëm të bisedojë me ne. Nuk do të largojmë askënd dhe nuk ekziston ndonjë listë me grupe për t’u lënë jashtë procesit."

Si përkrahësit edhe kritikët e zyrës së re janë dakord se luftrat në Irak dhe Afganistan u komplikuan nga dështimi i SHBA-së për të kuptuar traditat fetare lokale dhe se një vlerësim më i madh i fesë është i nevojshëm për zyrtarët e politikës së jashtme.
XS
SM
MD
LG